Parlamenti Europian shikon me entuziazëm zhvillimet e fundit politike në
Tiranë, lidhur me miratimin e ligjeve që kërkojnë tre të pestat dhe
Reformën Zgjedhore.

Kreu i delegacionit te Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan dhe eurodeputeti socialist Hannes Swoboda, deklaruan në një intervistë për Top Channel, se ajo për të cilën Shqipëria tashmë ka nevojë është lufta kundër korrupsionit dhe një sistem drejtësie që të punojë në përputhje me standardet europiane.
 
Top Channel: Zoti Kukan, a i keni ndjekur zhvillimet e fundit në Shqipëri?

Kukan: Po, unë e ndjek nga afër dhe për fat të mirë mund të them se po na vijnë disa lajme pozitive nga Shqipëria. Duke e njohur situatën në vend për një kohë të gjatë, unë do të dëshiroja të më bindin se do të ketë një tendencë të përhershme të atyre lajmeve pozitive. Por neve duhet ta themi se ka patur disa lëvizje në skenën politike dhe çdo gjë dëshmon faktin se ka një dialog të mirë pozitiv mes dy partive politike, gjë të cilën mendoj se duhet ta inkurajojmë me të gjitha mjetet.

Ndodhi shumë vonë për t’u përfshirë në raportin e progresit të Komisionit Europian, por kjo nuk ka rëndësi. Është një gjë e mirë që kjo po ndodh atje. Ne kemi tashmë disa prova për këtë dhe le të shpresojmë se e ardhmja do të sjellë më shumë mundësi për ta konfirmuar këtë trend pozitiv. Ne do të zhvillojmë dialogun ndërparlamentar në Tiranë më 8 dhe 9 dhjetor. Le të shpresojmë se do të dëshmohet që sinjalet pozitive të mëparshme nuk janë thjesht “aksidentale”.

Swoboda: Mendoj se ndryshimet janë shumë pozitive dhe ato kërkojnë gjithnjë bashkimin e dy palëve. Mendoj se Shqipëria i kuptoi mesazhet që kemi dhënë nga të dyja familjet e ndryshme politike të Parlamentit Europian. Ndonjëherë merr kohë deri kur informacionet të kalojnë nëpër kanalet e grupeve të ndryshme politike, por mendoj se është e rëndësishme që ata janë dakort tashmë. Nuk është kaq e rëndësishme të flasim për të kaluarën, pse nuk ishte e mundur dhe kush bëri çfarë, por e rëndësishme është të flasim për të ardhmen.

Për të ardhmen e Shqipërisë, dy grupet kryesore politike duhet të punojnë së bashku. Mund të kenë sa të duan grindje, sherre dhe dallime por përsa i përket reformave për Europën ata duhet të qëndrojnë së bashku. Është shumë e rëndësishme për perceptimin në Europë, se ata nuk duhet të grinden për çështje të tilla. Ditën që zoti Kukan do të jetë në Shqipëri me delegacionin, me 9 dhjetor, unë si raportues për Kroacinë do të jem këtu për ceremoninë e nënshkrimit për anëtarësim, gjë e cila u realizua vetëm sepse forcat kryesore politike atje punuan sëbashku. Ky duhet të përbëjë një shembull edhe për Shqipërinë.

Top Channel: Meqë përmendët Kroacinë, një prej prioriteteve kyçe për Shqipërinë është funksionimi i sistemit gjyqësor. Sa i nevojitet “sanaderizimi” Shqipërisë, veçanërisht në lidhje me korrupsionin?

Swoboda: Ajo për të cilën Shqipëria ka nevojë, dhe të gjitha vendet e rajonit apo e gjithë Europa, është një luftë e qartë kundër korrupsionit, pa marrë parasysh personalitetet. A është president, kryeministër, zëvendëskryeministër, ministër apo çfarëdo personaliteti tjetër i rëndësishëm, askush nuk duhet të përjashtohet nga lufta kundër korrupsionit, nga gjyqet dhe nga aktivitetet e Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo duhet të jetë absolutisht e qartë.”

Kukan: Unë do të doja të përsërisja atë që tha kolegu im, se lufta kundër korrupsionit dhe sistemi i drejtësisë duhet të punojnë në përputhje me standardet europiane.Duhet të merren me çdo personalitet, pa marrë parasysh varësinë e tij politike apo nivelin e përfshirjes në qeveri apo kudoqoftë. Ky mendoj unë është rregulli që duhet të futet në Shqipëri.”

Top Channel
: Një tjetër çështje për të cilën dy palët duket se kanë rënë dakort, për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, është ‘klonimi’ i rregullores së Parlamentit Europian. A është e mundur të zbatohet rregullorja e PE në një parlament kombëtar ?

Kukan: I takon politikanëve shqiptarë të bien dakort mbi rregulloren. Në çështje të tjera ne iu tregojmë gjithnjë për standartet europiane, por unë nuk mendoj se kjo është një prej atyre çështjeve ku ata duhet të kopjojnë Parlamentin Europian. Bëhet fjalë për një institucion krejt të ndryshëm, i cili ka një strukturë tërësisht të ndryshme me përfaqësues nga 27 vende europiane. Pra ata ndoshta mund të marrin ndonjë lloj filozofie apo parimi, por për situatën konkrete në Shqipëri unë nuk mendoj se është e nevojshme që të kalohet në strukturën e Parlamentit Europian.

Swoboda
: Mendoj se ajo që është e arsyeshme është të merren disa prej rregullave të Parlamentit Europian dhe disa prej rregullave të parlamenteve kombëtare, për t’i bërë bashkë në një koncept të qepur mirë dhe t’i përshtasin për parlamentin kombëtar. Por ajo që ata duhet të “klonojnë” nëse mund ta themi, është sjellja jonë ndaj njëri tjetrit dhe në mes grupeve të ndryshme politike. Ne përpiqemi të punojmë në mënyrë tepër konstruktive, përpiqemi të punojmë së bashku, përpiqemi të gjejmë rrugët e dialogut dhe jo të sulmojmë njëri-tjetrin, as fizikisht, as me fjalë të rënda.

Top Channel
: Zoti Kukan, si kreu i delegacionit, duket sikur eurodeputetët po humbasin fokusin për Shqipërinë. Ka gjithnjë e më pak eurodeputetë që duan të shkojnë në Shqipëri në dhjetor.

Kukan: Jo, do të jemi shtatë prej nesh dhe mendoj se është një numër i mirë. Por unë i kuptoj disa prej tyre, qëndrimet e të cilëve burojnë nga përvoja që morën gjatë vizitave tona të mëparshme, ku ne nuk pamë dialog mes dy partive politike të Shqipërisë, por në vend të kësaj, ato grindeshin gjithë kohën dhe nuk ishte shumë fisnike për eurodeputetët që të uleshin atje dhe vetëm të dëgjonin. Kjo ishte arsyeja pse ishte i nevojshëm inkurajimi i një pjese të anëtarëve të Parlamentit Europian për të vajtur atje.

Por dua t’i kthehem pyetjes tuaj në fillim. Për tre herë rresht gjatë takimeve të mëparshme neve nuk mundëm të miratonim deklarata të përbashkëta, pasi nuk patëm mundësi të bashkonim dy palët. Tani unë shpresoj se ato sinjale pozitive janë prej vërteti dhe do të jenë të qëndrueshme. Dhe ky do të jetë një tjetër shans për të dëshmuar se gjërat kanë ndryshuar. Pra unë shpresoj sinqerisht se pas tre përpjekjeve të dështuara, ne do të kemi një deklaratë të përbashkët. Mendoj se edhe kjo do të përçonte sinjale pozitive nga Tirana.

Top Channel: Përndryshe?

Kukan: Përndryshe neve na mbetet vetëm shpresa se ato sinjale pozitive janë të vërteta.

 

PERGATITI: ARTA TOZAJ

Top Channel