Harasani “jashte liste”: Për mua është dytësore

22/11/2011 00:00

Pas kongresit nga ku u zgjodh Asambleja, për Partinë Socialiste zgjedhja
e kryesisë së re merr një rëndësi për drejtimin e punëve te kësaj force
politike.

Zyrtarisht ende s’janë publikuar emrat e 25 kandidatëve të kryesisë së re, të cilët më 2 dhjetor do të votohen nga Asambleja.Por që prej dy ditësh në median e shkruar janë publikuar emrat e mundshëm të kandidatëve, ku krahas prurjeve të reja mungojnë emrat e dy deputetëve Andis Harasani dhe Kastriot Islami nga Lëvizja për Mendim Ndryshe.

Në një prononcim për Top Channel, deputeti Harasani më shumë rëndisi i jep fitores të së majtës në 2013, se sa qënies apo mosqënies pjesë e kryesisë së re.

“Ajo nuk është një listë zyrtare, por besoj se nuk ka asnjë lloj rëndësie lista.Që nga momenti që kam hyrë në PS e deri më sot do të vazhdoj të punoj për fitoren e PS, për demokratizimin e jetës politike në vend, demokratizim që mua duhet të nisë nga PS. Jam krenar, besoj unë dhe të gjithë miqtë e mi, të gjithë ata që më kanë mbështetur, socialistët me të cilët kam folur, i kemi fituar betejat publike pra, atë cka ne kemi kërkuar të bëjë është bërë dhe mendoj, se kjo është rruga që duhet të vazhdojmë për të demokratizuar akoma më shumë PS për ta kthyer në një parti të vërtetë demokratike dhe për ta bërë të gatëshme për të fituar zgjedhjet e ardhëshme të 2013-tës. Se kush është në lista, se kush votohet e se kush nuk votohet këto janë gjëra të një rëndësie të dytë”, tha Harasani.

Javën e shkuar kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama kërkoi nga anëtarët e sapozgjedhur në Asamblenë Kombëtare t’i dërgojnë drejtpërdrejt propozimet e tyre të mundshme për kryesinë e re të partisë.

Top Channel