Topalli: Kundër dhunës në familje

15/11/2011 20:15

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, e ka cilësuar çështjen e sensibilizimit në luftën kundër dhunës së gruas si një çështje të së drejtës.

Nga qyteti i Korçës, ku kryeparlamentarja është bërë pjesë e marshimit në kuadrin e kësaj fushate ndërgjegjësuese, ajo ka falënderuar gratë për mbështetjen e dhënë prej tyre duke përcjellë mesazhin se dhuna ndaj gruas është një çështje publike, e cila nuk është prezente vetëm në Shqiperi, por edhe në disa prej vendeve më të zhvilluara.

Sipas Topallit, dhuna është një fenomen kompleks, që ndodh në të gjitha klasat apo shtresat shoqërore. “Dua të jap një mesazh të thjeshtë, por të vërtetë. Të duash dhe të mos urresh, të duash e mos dhunosh, të dashurosh pa cënuar nënën, vajzën e motrën. Nuk duam që të shohim lot në muret e mbyllura të familjes e shtëpive. Atje ku secili prej nesh ndihet më i sigurt, atje ku duhet të gëzojmë ndodh shpesh më e rënda”.
                                                                                     
Duke e cilësuar Korçën si një prej qyteteve në pararoje të disa ngjarjeve, të cilat kanë shënuar kthesa të mëdha në vend, kryeparlamentarja Topalli ka përmbyllur këtë fushate ndërgjegjësimi duke u takuar me nënat dhe gratë pjesëmarrese në këtë marshim.

Top Channel