Rama: Si më ftoi Nano në qeveri dhe ndarja me Ilir Metën

10/11/2011 00:00

Edi Rama– Pjese nga libri i tij “Kurban”

Ftesa nga Fatos Nano

Paloçëllëku më i fundit kishte qenë një komision hetimor kundër meje në të hyrë të të njëjtit vit, që ishte në fakt vijimi atavik i një bashkëpunimi të vendosur mes Fatosit e Saliut qysh në kohën e katharsisit, atëherë kur, me ndihmën e drejtpërdrejtë të armikut historik, i cili nuk e çonte PD-në në Kuvend për t’u lënë fushë të lirë socialistëve të shqyenin njëri-tjetrin në kacafytjen e tyre torturuese sa në rrugë e sa në sallën kuvendore, ku qeveria s’i arrinte dot numrat për të hapur seancat e miratimit të ministrave, “Konti i Montekristos” realizoi hakmarrjen e planifikuar duke e detyruar të dorëzohej qeverinë e Ilir Metës. Ishte vetëm pika e parë e planit të bashkëpunimit mes ish presidentit dhe ish të burgosurit të tij, ku parashiheshin me radhë goditja e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, atë që Saliu e ngrinte dhe ulte paturpësisht me nofkën Mark Abdia, pastaj me komisione hetimore parlamentare për kryetarin e SHIK-ut dhe më tutje kryetarin e bashkisë së Tiranës, pra mua, armikun e shpallur të Saliut qysh në dekikat e para të krijimit të Partisë Demokratike dhe mikun armik të Fatosit qysh nga dita inaugurale e katharsisit, kur u tregoi para kamerave fshatarëve të mbledhur në një pijetore në Pezë sesi më kishte gjetur rrugëve në Francë, refugjat thonjpaprerë, që merresha me kontrabandë ikonash, ndërkohë që ishim takuar në fakt për herë të parë në zyrën e tij në ditët e rikthimit tim disaditor në Tiranë nga Parisi pas shumë kohësh, vetëm pak muaj pas rikthimit të tij në atë zyrë me fitoren e qershorit 1997. Ruaja një mbresë të shkëlqyer nga nata e asaj fitoreje, kur rastësia e solli që edhe të flisnim për herë të parë me njëri-tjetrin. Atë mbrëmje isha në shtëpinë e Bashkim Shehut në Barcelonë, mik i mirë me të cilin shihemi rrallë, por është përherë kënaqësi e posaçme të bisedosh, sepse ka kulturë të madhe, përsosje të pazakontë të shijeve letrare, artistike por edhe politike, e mbi të gjitha njerzillëk të hatashëm që nën çatinë e tij të bën të ndihesh rehat si rrallëkund, dhe ndiqnim rezultatet me telefon kur, në një nga bisedat me Avokatin, më kaloi “Mjekrën” siç e quanim mes nesh Fatos Nanon, që pasi e urova për fitoren më çuditi me përgjigjen: “Është rasti të të uroj edhe unë ty sepse kjo është fitorja ime sa ç’është e jotja, pres të shihemi së shpejti”. Më çuditi sepse ishte ngrohtësisht miqësor, a thua njiheshim që gjithmonë dhe kishte përulësinë e sojit më të mirë të njerëzve të suksesshëm që famën apo fuqinë e përçojnë si gjerësi shpirtërore, cilësi që më vonë vajti duke ia tretur paralelisht me humbjen e sigurisë, sidomos pas katastrofës së 14 shtatorit të një viti më vonë. Në zyrën e tij më çoi një tjetër soj i veçantë njeriu, i ndjeri Gramoz Pashko, rebeli mondan dhe eklektik i lëvizjes së dhjetorit ‘90, që kishte dalë nga prapaskena politike dhe ndihmonte pas kuintave si këshilltar kryeministrin që rrëzoi në vitin 1991, për të ringritur Shqipërinë e rrëzuar nën gërmadhat e piramidave që la mbas vetes në 97-ën binjaku komunist e bajraktar i Pashkos në krye të asaj lëvizjeje.

Fatosi më priti me shumë dashuri, duke rrëzuar në pak minuta çdo barrierë të mosnjohjes dhe më ftoi përzemërsisht në shtëpinë e tij për darkë, pasi takova po aty në zyrën e tij, gruan e vet fisnike Rexhinën, e më tregoi që do të nisnin të bijën në Paris për shkollim, duke më kërkuar shumë vëllazërisht të mbaja sa të mundesha një sy të hapur vëmendjeje ndaj saj. Jemi takuar më mbrapa edhe në Paris, kur erdhi në krye të delegacionit qeveritar. Drekuam në një restorant të bukur pranë Operas së Bastijës, ku vazhdoi të mundohej të më bindte pse duhej të kthehesha në Tiranë, ma kishte thënë disa herë në formë sfiduese, për t’iu bërë krah atij që ndihej “i vetmuar si në burg në lartësinë morale dhe intelektuale nga e qeveriste Shqipërinë, i rrethuar me pleshta e parazitë që meritonin tua mbyllte çadrën e t’i linte në kalbeshin në shi”, pa munguar nga kontaktet tona telefonike për herët që e takoja, në fakt me shumë kënaqësi, Edën, vajzën e tyre vërtet të mrekullueshme, për darka me miq në shtëpi a ndonjë festë sallonesh pariziere. E nëse im atë s’do të më kishte sjellë befasisht në prill të vitit 1998 për funeralin e vet në Tiranë, duke më futur në një dëshpërim hutues dhe kallur në shpirt një ndjenjë brejtëse faji për jetën arratisëse, që më shtynë të pranoja dorashkën e Fatosit, i cili, rastësia deshi të ishte duke riformatuar qeverinë pikërisht në të thyer të atij prilli, s’kishte as edhe një gjasë që unë t’i përgjigjesha apelit të përsëritur të kryeministrit të vendit për të lënë botën e artit dhe qytetin me të cilin isha dashuruar asokohe i gjithi e për të hyrë në arenën ku jam sot e gjithë ditën.”

* * *
Ndarja me Ilir Metën

Një stuhi e re politike, e gjatë dhe sfilitëse ra mbi bashkinë e Tiranës kur Ilir Meta bëri piruetën e radhës duke shpallur largimin nga koalicioni me Partinë Socialiste, për të luftuar, siç tha ai, kundër pazareve të PS-së me PD-në, vetëm 48 orë pasi i kisha folur hapur për idenë time të reformës zgjedhore. Qemë ndarë miqësisht në zyrën time me fjalën që do të rishihemi shumë shpejt për të vendosur mbi piketat e reformës. E kam përsëritur më shumë se njëherë deri këtu, ky s’është vendi për të shtjelluar rrjedhën e ngatërruar të disa ngjarjeve përcaktuese në rrugëtimin e Partisë Socialiste, megjithatë besoj se do të më gjykoje keq nëse këtë moment do ta kaloja pa një shpjegim pak më të gjatë se ç’kam bërë hera-herës kur rrëfimi im ka cekur jetën politike për të dhënë kontekstin e gjërave të ndodhura me bashkinë për shkaqe kryekëput politike.

E vërteta e atij largimi, të paktën në këndvështrimin tim, është krejt e ndryshme nga ajo që ka fituar qytetarinë në optikën e opinionit, sidomos të zëdhënësve të publikut, kur bëhet fjalë për shkaqet e ndarjes së Ilirit me Partinë Socialiste për tu rifutur në rrugën vetmitare të LSI-së. Ose, e thënë ndryshe, nuk është aspak e vërtetë që unë desha të imponoj pa kushte sistemin e ri zgjedhor, modeli spanjoll, i cili pastaj u kthye në nen kushtetues, sepse paskam pasur qëllim asgjësimin e LSI-së. E kundërta është e vërtetë, synimi im ishte krijimi i një boshti solid PS-LSI, përmes atij sistemi dhe të gjitha shifrat e derisotme, të dy palë zgjedhjeve me sistemin e ri, madje edhe për aq sa ato janë të vërteta në kushtet kur në rang kombëtar ka pasur manipulime të mëdha të votës për subjektet politike opozitare edhe në 2009-ën edhe në 2011-ën, tregojnë se me këtë sistem, pavarësisht manipulimeve, edhe koalicioni ynë do ishte fitues, edhe LSI do të kishte më shumë se katër deputetët që mundi të fuste në Kuvend dy vjet më parë, ndër të cilët mandati i vetë Ilir Metës në Tiranë u sajua me një marifet, për të cilin ka dëshmitarë e nuk u fitua me vota, po iu rrëmbye PS-së në dekikat e fundit. Nënvizoj këtu se,ndryshe nga sa ç’thashethemohet, unë s’kam asnjë gisht në atë marifet, e kam marrë vesh më vonë, por spekulimi ka lindur nga fakti që kam urdhëruar me mesazh të gjithë kujdestarët elektoralë të partisë sonë të ruajnë, pavarësisht armiqësisë politike, çdo votë të LSI-së, e cila s’kishte anëtarë në komisione dhe rrezikonte të goditej nga vjedhje që kurrë, asnjëherë e për asnjë arsye, Partia Socialiste në qendër s’i ka stimuluar e s’do t’i stimulojë ndonjëherë sa të jem unë në krye, në kurriz të askujt. As të kundërshtarit.

Jo vetëm aq sa thashë, por jam i bindur se falë sistemit të ri, as PS-ja s’do të kishte e vetme shumicën e 71 votave që acaronin paranojën e Ilirit, duke e bërë të frikej se mund të defaktorizohej për shkak të humbjes së ndikimit mbi qeverisjen, as LSI-ja nuk do e humbte çelësin e kontrollit mbi shumicën, pa të cilin Ilir Meta s’e kupton dot ekzistencën e tij në krye të asaj partie të vogël. Dhe as boshti PS-LSI nuk do të rrezikohej dot nga ansambli folklorik i koalicionit të Saliut, të paktën sa kohë që Saliu ishte në krye të Partisë Demokratike. Deri këtu jemi tek faktet, jo tek opinionet dhe të gjitha faktet thonë se është vetëm kështu. Kush thotë s’është kështu, s’ka fakte, po vetëm opinione pa bazë logjike e faktike.

Çfarë ndodhi atëherë?

Duke e njohur mirë Ilir Metën, paqëndrueshmërinë e tij, paranojën se çdo njeri që ka pranë kërkon t’ia hedhë dhe delirin e lindur bashkë me LSI-në për të futur një sferë të madhe në një sferë të vogël, që i ngrinte krye sa herë ngacmohej prej të qenit në paqe e sidomos prej komplimenteve pa karar a thashethemeve me zarar që i bënte shpura e pandarë e servilëve të tij, injorantë deri në dhimbje e dallkaukë deri në bezdi, me të cilët është rrethuar tradicionalisht për tu mbrojtur nga ata pak bashkëpunëtorë me mend që ka pasur afër, e ftova për bisedën që bëmë. Sapo kishin nisur debatet e keqkuptimet në shtyp për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe kërcënimin jetik që u vinte partive të vogla nga sistemi spanjoll, ose siç u pagëzua qysh në fillim nga sistemi i Kaçit, që e bënte kërcënimin e supozuar të dukej edhe më i zi për shkak të reputacionit që Kastriot Islami gëzonte në mjedisin politik, veçanërisht atë opozitar si ‘nëna e gjithë intrigave’ në familjen socialiste. Shtuar këtu edhe alergjia e lëkurës që u shkaktohej reciprokisht të dyve, Metës e Islamit, kur njëri dëgjonte emrin e tjetrit, s’ishte aspak e zorshme të hamendësoje se terreni psikologjik për reformën ishte i minuar nga mosbesimi total pa nisur ende puna e përbashkët që duhej të bënim për të. Qëllimi im ishte pikërisht çminimi i atij terreni, duke i folur hapur Ilirit dhe duke i kërkuar që të mos lejonim të na ngatërrohej me llafe rrugësh e kafenesh ai proces që ishte natyrshëm boll i ngatërruar, ndërkohë që pa asnjë dyshim, jo vetëm që s’dëshiroja tkurrjen e LSI-së, por përkundrazi besoja me bindje të plotë se modeli spanjoll zgjidhte shkëlqyeshëm ekuacionin e fitores së zgjedhjeve, qoftë problemin e bashkëjetesës së vështirë mes dy partive tona.

“Reforma zgjedhore,” i thashë pakashumë, “është një proces tejet delikat, sepse ka të bëjë drejtpërdrejt me vetë klasën politike, prek interesa, ngjall orekse, krijon shtigje shumë të shpeshta për dyshime, keqinterpretime, keqkuptime. Unë s’kam asnjë arsye në botë ta fus reformën në një rrugë që na ndan. Modeli spanjoll më duket absolutisht më i përshtatshmi, të paktën nga sa unë kam lexuar mes modelesh të ndryshme, qoftë për PS-në, qoftë për LSI-në. Por nëse ty nuk të rezulton kështu, jam plotësisht i gatshëm të vendosim ndryshe. E vetmja gjë që të kërkoj është që konkluzionet t’i nxjerrim jo me hamendje, as me dyshime reciproke, as me llafe që vijnë vesh më vesh dhe ty të ndikojnë për keq. Mblidh njerëzit e tu të besuar, ata që marrin vesh nga kjo punë, jepu detyrën të bëjnë analizat përkatëse dhe më thuaj. Nëse do të flasësh edhe me Kastriotin, e ke në dispozicion”.

Duhet një penë e fortë, që unë s’e kam, për ta vizatuar me fjalë portretin e Ilir Metës kur është i gjithi i pushtuar prej sëkëlldisë së dyshimit e frikës që i shkon në kockë dhe ia paralizon lidhjet mes trurit, figurës e zërit, fytyra i buzëqesh ndërsa sytë i lëvizin ngado për të mos ndaluar mbi fytyrën e të dyshuarit në karrigen përballë, njërën dorë, atë pa celular, e vë në mes duke kapur rripin e pantallonave, fjalitë që thotë janë të rralla, tek-tuk edhe pa asnjë lidhje me bisedën, një mërmërimë në formë “ë”-je të zvargur i del hera- herës sikur njëkohësisht ndjek bashkëfolësin e i thotë vetes, po të dëgjoj e s’po të flas dot tani, çohet për ndonjë telefonatë pa lidhje, ulet prapë, derisa në fund, pasi e dëgjon e dëgjon, plas papritmas një të qeshur buçitëse me kokën e shtriqur pas e supet që tundet nga gazmendi, pastaj dëgjon edhe njëherë të njëjtën gjë nga ana e bashkëbiseduesit të sëkëlldisur po ashtu ngaqë s’i vjen asnjë valë tjetër veç dyshimit të përçuar nga çdo pore e Ilirit dhe çohet duke thënë gjithnjë një frazë që lidhet me një “mirë do flasim”.

Përpikërisht kështu e mbylli dhe atë bisedë duke thënë: “Mirë, flori, kuptova, do ta shoh e do flasim”. “Një gjë unë ta them që sot me bindje”, i thashë duke u ngritur në përpjekjen time finale, të kotë, që të ngulja gozhdën e shtrembëruar nga goditjet e përsëritura të arsyetimit në veshët e bukosur të Ilirit, ku e ndjeja që zërit tim hynte vetëm si zhurmë turbulluese. “Me sistemin spanjoll jemi qetësisht fitimtarë, të paktën derisa Saliu të jetë në politikë. Nëse ti s’e krijon këtë bindje, gjejmë një zgjidhje tjetër, nuk ka problem”.

Por fatkeqësisht për shumicën e këtij populli, problemi kishte lindur dhe zgjidhja tjetër kishte vdekur para se ta kërkonim, lavjerrësit në kokën e Ilir Metës i kishte ardhur ora për të lëvizur djathtas, ndërsa Ilirit dita për të bërë sikur po lëvizte më majtas, që të shpëtonte të majtën, socialistët e vërtetë, vetë Shqipërinë nga një pazar i madh, që në fakt s’ishte gjë tjetër veçse shprehja e frikës së tij imagjinare se mund të mbetej vetë jashtë pazarit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel