Berisha në Unazën Verilindore

04/11/2011 00:00

Kryeministri Sali Berisha ishte në malësinë lindore të vendit, një zonë e thellë që lidh rrethin e Librazhdit me rrethin e Peshkopisë.

Nga Librazhdi deri në Fushë Studen është një rrugë prej 41 kilometrash, e cila është hapur e gjitha për ndërtim me një investim prej 2.8 miliardë lekësh.

Këtë rrugë ndoqi edhe kryeministri Sali Berisha, i cili bashkë me inspektimet që ka nisur kohët e fundit, ka si qëllim të sjellë në vëmendje investimet që po kryhen për ndërtimin e infrastrukturës edhe në zona të tilla të thella e shumë piktoreske, por të mbetura në harresë për shkak të infrastrukturës së rrënuar.

“Ne po vazhdojmë me një intensitet më të madh se kurrë ndërtimin e një infrastrukture moderne, të denjë për Shqipërinë vend i zhvilluar. Rrugët e të gjithë këtyre zonave dhe në tërësi rrugët e Shqipërisë kanë qenë në të vërtetë rrugë të mundimshme. Ne po i kthejmë ato në rrugë moderne, të cilat krijojnë korridore të reja energjish të fuqishme të tregut, por i bëjnë shqiptarët të njohin potencialet e jashtëzakonshme të vendit të tyre dhe ta duan atë shumë më tepër”, deklaroi Berisha.

Me ndërtimin edhe të 17 kilometrave të tjerë deri në Ostren, një zonë në qarkun e Dibrës, atëherë do të jetë e përfunduar ajo që kryeministri e quan Unaza Verilindore e vendit, e cila nis në Valbonë, kalon në Kukës, Peshkopi dhe përfundon në Librazhd, ku lidhet me pjesën tjetër të vendit.

Kryeministri Berisha, për të cilin ishte ruajtur edhe shpërthimi i një masivi shkëmbor, ku do të kalojë rruga e re, premtoi një afat simbolik për përfundimin e të gjithë Unazës Verilindore.

“Unaza Verilindore Valbonë-Librazhd përfundon brenda vitit të 100-vjetorit të pavarësisë. Nuk ka shpërblim më të madh për këta banorë, se sa të gëzojnë këtë infrastrukturë. Është edhe një mirënjohje për Skënderbeun, i cili bëri shumë beteja në këto male për të mbrojtur lirinë e shqiptarëve”, premtoi Berisha.

Në takimin me banorët e Stebleves, një komunë me fshatra që shtrihen deri në 1200 metra mbi nivelin e detit, kryeministri Berisha vuri në dukje se Unaza Verilindore, që lidh rreth 90 komuna me rrugët kombëtare, është një mundësi e rë që u jepet banorëve për të dalë më shpejt në treg me prodhimet e tyre dhe për të shfrytëzuar potencialet turistike të zonave të tyre.

Top Channel