Në ditën në të cilën Partia Socialiste publikoi programin e saj, figura të shquara të partisë më të madhe në opozitë folën në “Top Story” për atë që është sot PS dhe për atë që duhet të shndërrohet në të ardhmen.

Njëkohësisht, debati i gjatë u fokusua në fraksionet që ndodhen brenda
selisë “rozë”. Arben Malaj, anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste dhe
një prej kritikëve më të mëdhenj të Ramës, së bashku me Erjon Veliajn,
Bashkim Finon dhe Et’hem Rukën, iu përgjigjën pyetjeve të gjithëanshme
për socialistët.

Replika Malaj-Veliaj mbi kritikat e Meidanit

Një prej anëtarëve më të vjetër të PS-së, Arben Malaj, kundërshtoi që në fillim kolegun e tij Veliaj, mbi qëndrimin që duhet të mbajë selia “rozë” ndaj deklaratave të ish-Presidentit të Shqipërisë, Rexhep Meidanit, i cili deklaroi se nuk e shihte si realist programin për krijimin e 300 mijë vendeve të punës në një mandat të vetëm. Pasi Veliaj aludoi për “qejfmbetje” gjatë asablesë, që çuan Meidanin të shprehej në atë mënyrë dhe pasi theksoi se mund të “gjenden forma më elegante kritikimi”, Malaj theksoi se: “Nuk duhet t’i japë askush vetes tagrin që të flasë për ish-President nëse ka qejfmbetje apo jo. Kjo është ajo që nuk duhet të ekzistojë në Partisë Socialiste të së ardhmes dhe që fatkeqësisht sot ende është prezente. Në momentin që një koleg shpreh diçka që nuk na pëlqen, duhet ta respektojmë mendimin, sepse ekzistenca e shumë mendimeve është suksesi i vërtetë i Partisë Socialiste. Nuk duhet të kalojmë në denigrime, praktikë kjo që nuk duhet të ekzistojë kurrë brenda PS-së”.

Malaj: Në PS nuk ka “gardë të vjetër dhe të re

Duke folur për atë që është Partia Socialiste, ish-Ministri i Financave, Malaj që në fillim u ndal në pikën që “brenda partisë nuk ka xhaketa të vjetra dhe të reja. Ajo që na bën fitues është vlera, përkushtimi, partimet dhe kualifikimet e njerëzve që formojnë këtë forcë. Mosha është vetëm një e dhënë statistikore, një e dhënë kronologjike se kur ke lindur, por në aderimin në PS, nuk duhet të jetë absolutisht një parim. E njëjta vlen edhe për liderin, sepse PS nuk ka lider, është një grup pune që qëndron dhe punon gjithmonë bashkë”.

Duke komentuar pozicionin në opozitë dhe programin e ri të publikuar, Malaj shtoi: “Në këtë kohë, fitorja është bërë më e vështirë. Zhvillimet e reja politike e bëjnë të pamundur të fitosh me 60-70%. Kjo do të thotë se lufta politike është ashpërsuar. Megjithatë, nëpërmjet programit që kemi publikuar, kryesorja është të fitojmë besueshmërinë e shqiptarëve. Të shkruash bukur është e thjeshtë, ajo që duhet të bëjmë ne është që të japim garanci që ato që kemi shkruar, do të zbatohen sa të kemi mundësi të qeverisim vendin. Në 2013-n, duhet të përfundojë mandati i Berishës, por edhe koncepti i tij i shtetbërjes. Duhet të përfundojë mënyra se si konceptohet pushteti, nëpërmjet liderave të fortë dhe institucioneve të dobëta”.

Veliaj: Programi ynë, një alternativë tërësisht e ndryshme

“Programi ynë është i ndryshëm në konceptim. Duke nisur nga taksat, nga e cila do të përfitojë 95% e shqiptarëve. Pa dyshim, për ata që jetojnë në lukse, banojnë në Gjirin e Lalzit apo vende të tjera eksluzive dhe për ata që s’kanë provuar ndonjëherë të jenë të papunë, programi ynë i ri nuk ka shumë se çfarë t’I ofrojë”, deklaroi Erjon Veliaj, një prej antarëve më të rinj të Asamblesë së PS-së.

Duke zhvilluar idenë e tij, Veliaj shtoi se: “Qeveria Berisha, në gjashtë vjet që drejton vendin, ka patur kohë të bëjë me dhjetëra ndryshime. Në gjashtë buxhete, 12 duke patur parasysh buxhetet në mesin e vitit, asnjëherë nuk ka qenë fondi për arsimin prej 5%. Kjo do të thotë që thjesht nuk duan. Në këto vite, Ministrat kur sëmuren shkojnë kurohen jashtë ose në klinika private. Si ka mundësi që qeveria e drejtuar nga një mjek nuk ka besim të kurohet në spitalin shtetëror, si 95% e shqiptarëve?”.

Veliaj u ndal edhe tek një koncept më i gjerë, si ai i “dekokracisë së ushtruar”. “Shihni se çfarë ndodhi sot në Kuvend. U miratua një ligj shumë i debatueshëm, ai i plehrave. Si ka mundësi që një ligj me një interes kaq të gjerë publik, nuk pranohet të shkojë në referendum dhe të pyetet populli? Partia Demokratike asnjëherë nuk e ka patur si parim këtë gjë. Për ta, demokracia, edhe pse dyshoj ta kenë kuptuar ndonjëherë si fjalë, është vota e vjedhur një herë në katër vjet. Për ne, është një sport që duhet ushtruar vazhdimisht. Refendumi është një mënyrë për ta bërë këtë”.

Fino: Mendim ndryshe, por jo veprim ndryshe

Nga ana e tij, Bashkim Fino, një prej figurave më të vjetra të Partisë
Socialiste, vlerësoi lart programin, por këmbënguli në faktin se “është e rëndësishme
që të të mendojmë ndryshe, por të veprojmë të gjithë njësoj. Partia Socialiste është
e rëndësishme që të jetë e bashkuar. Programi ynë do të jetë i tillë që të
ofrojë një alternativë të re, të besueshme. Megjithatë, bëhet fjalë vetëm për
një hap të parë, pasi është e qartë që gjithçka do të vazhdojë të shtjellohet
deri në ardhjen e zgjedhjeve”.


Ruka: Bazohemi në katër shtyllat themelore për vendin

Një prej “baballarëve” themelues të Partisë Socialiste, Et’hem Ruka, duke folur
për programin, veçoi se “është puna e shumë specialistëve, një kontribut dhe përvojë
suksesesh e dështimesh në 20 vitet tona të ekzistencës sonë. Është një program
realist, që nuk premton të shkojmë në Hënë, por që bazohet në nevojat e përditshme
të shqiptarëve, në hallet e tyre, që nuk do të zgjidhen me magji, por do të përmirësohen
në mënyrë të vazhdueshme. Kryesorja do të jetë rimëkëmbja e ekonomisë. Përtej
populizmit, njerëzit e provojnë në xhepat e tyre krizën ekonomike. Duhet të
fusim vendin në hullinë e drejtë të integrimit. Është e lehtë ta thuash, por program
ynë ka me mijëra faqe të detajuara dhe të hartuara nga specialistë. Nuk është
një program populist, por absolutisht realist”.

Fino: Gati draft-statuti; Malaj: Mungon fryma demokratike

Nga paneli i Top Story-t, deputeti socialist dhe një nga hartuesit e draft-statutit të Partisë Socialiste që pritet të shtrohet për miratim gjatë kongresit të 5 nëntorit.

“Statuti sanksionon se anëtari i partisë është vlerë, anëtari voton kryetarin e PS, për delegatët. Partia Socialiste është parti me bazë të gjërë. Ndryshimet kanë ardhur si rezultat i analizave dhe punës tonë në këto vite. Draft-statuti do miratohet në kongresin e 5 nëntorit”, tha zoti Fino.

Ndërsa deputeti Arben Malaj, nga Lëvizja për Mendim Ndryshe brenda Partisë Socialiste, lëvizje e njohur për qendrimet kritike mbi frymën drejtuese të partisë, tha se PS duhet të shndërrohet në parti institucionale me qarkull elitash. Sipas zotit Malaj, posti i kryetarit duhet të kufizohet në 8 vjet. Zoti Malaj kritikoi mënyrën e drejtimit të Partisë Socialiste.

“Kriza jonë është kjo; normal quhet jonormale dhe jonormalja quhet normale. Zhvillimet jodemokratike brenda Partisë Socialiste po i zënë frymën partisë”, tha Malaj.
 

Top Channel