Shqiptarët harxhuan më pak në bixhoz

21/09/2011 08:00

Sasia e parave që shqiptarët lënë nëpër lojëra fati, kazino e lotari të ndryshme këtë vit besohet se është reduktuar paksa në raport me një vit më parë, bëhet e ditur nga raporti për të ardhurat buxhetore të Ministrisë së Financave.

Raporti përmbledh të dhëna për periudhën janar-korrik dhe tregon se të ardhurat e qeverisë nga taksat e lojërave të fatit qenë 2.93 miliardë lekë, (rreth 21 milionë euro), me rënie të lehtë në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2009.

Në Shqipëri ka 29 subjekte që organizojnë lojëra fati, nga të cilat 20 merren me lojërat elektronike, 9 me baste sportive dhe 9 të tjera janë bingo.

Gazeta ‘Shqip’ publikon se lojërat elektronike janë paguesit më të mëdhenj të taksave mes tri kategorive të këtyre lojërave. Në të gjithë territorin në vitin 2010 punuan 182 salla, me 2618 makina elektronike të regjistruara. Por pikat e basteve sportive shënojnë numrin më të lartë të pikave. Nëntë kompanitë e këtyre lojërave patën në fund të vitit të kaluar 1605 dyqane. Numri i dyqaneve është rritur 387 njësi gjatë vitit 2010. Në Shqipëri ka edhe 25 salla bingosh, por popullariteti i tyre duket se ka rënë vitin e kaluar, pasi 5 salla bingosh janë mbyllur.

Të dhënat zyrtare që administrohen nga Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit pranë Ministrisë së Financave, raportojnë se vetëm për një muaj, buxheti i shtetit vjel diku te 350 milionë lekë vetëm nga detyrimet që paguajnë kompanitë që të lejohen të ushtrojnë aktivitetin, këtu nuk përfshihet tatimi mbi fitimin apo mbi qarkullimin që aplikohet në fushën e lojërave të fatit.

Taksat mbi lojërat e fatit në Shqipëri prej disa vitesh përbëhen nga taksa fikse plus taksa mbi xhiron, me kushtin që të mos jenë më të ulëta se sa një nivel i caktuar nga Ministria e Financave.
Për çdo makinë elektronike me më shumë se një pozicion (ruletë) organizatori paguan një kuotë fikse mujore prej 100 mijë lekësh dhe 300 mijë lekësh në muaj për çdo pozicion loje, pavarësisht nga rrethi ku ushtron veprimtarinë.

Organizatori i lojërave për kazino elektronike paguan tatim mujor mbi lojërat e fatit 4 për qind mbi vëllimin e qarkullimit të realizuar në bazë të arkëtimeve, por jo më pak se:

a) për rrethet e kategorisë së parë, 400 mijë lekë për çdo sallë dhe 100 mijë për çdo makinë elektronike të tipit slot e videolotari;
b) për rrethet e kategorisë së dytë, 200 mijë lekë për çdo sallë dhe 60 mijë lekë për çdo makinë elektronike të tipit slot e videolotari;

c) për rrethet e kategorisë së tretë, 100 mijë lekë për çdo sallë dhe 40 mijë lekë për çdo makinë elektronike të tipit slot e videolotari.

Gjatë vitit 2010, qeveria arkëtoi 5.2 miliardë lekë (rreth 37 milionë euro) taksa nga lojërat e fatit dhe kazinotë, ndërsa në vitin 2009 pati arkëtuar 3.3 miliardë lekë taksa.

Lojërat e fatit janë biznese që mbikëqyren me imtësi në të gjithë botën, për shkak të mundësisë së mashtrimeve dhe rrezikut të përdorimit të tyre nga krimi i organizuar për pastrim parash. Taksa e ulët prej 4 përqindësh mbi qarkullimin në sallat e lojërave elektronike, i bën këto biznese shumë të leverdisshme për pastrim parash, pasi krijimi i aktiviteteve të tjera fiktive për të mbuluar origjinën e parave të pista, mbart një kosto minimale prej 20 përqindësh që është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.

Top Channel