Gjatë një mesazhi drejtuar deputetëve me nisjen e sesionit të ri parlamentar, Presidenti i Republikës ka përdorur tone të forta dhe të qarta për ndryshime të menjëhershme për politikën dhe institucionet e vendit.(UPDATE)

Presidenti ka rikujtuar se vendi prej dy vjetësh ndodhet në ngërç politik dhe po humb kohë në përpjekjet për të ardhmen europiane. 

“Shqipëria politike, tashmë anëtare në NATO, ka humbur dy vjet në një ngërç politik permanent të lidhur me zgjedhjet e fundit parlamentare; vetë qytetarët dhe vendi kanë humbur dy vjet në përpjekjet e tyre për marrjen e ftesës drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sot sfida është e qartë: ne kemi përpara 12 kritere politike të BE-së, të gjitha të lidhura me Parlamentin dhe ushtrimin cilësor të funksioneve të tij. Në emër të qytetarëve dhe të ndërgjegjës kombëtare, ju ftoj t’i shndërroni këto pika në prioritete të axhendës dhe aktivitetit parlamentar”, thotë presidenti Topi.

Presidenti ka kërkuar reforma të thella të premtuara më parë, si ligji për funksionimin e Konferencës Gjyqësore dhe miratimin e ligjit për Gjykatën Administrative, zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronësisë mbi tokën, reformën për pavarësinë e  administratës publike, përmirësimin e sistemit shëndetësor apo pavarësinë e televizionit publik.

Por për presidentin reforma e menjëhershme është ajo e  kufizimit kushtetues të imunitetit për politikanët dhe zyrtarët e lartë.

“Retorikat politike anti-korrupsion për kufizimin e imunitetit nuk kanë vlerë ligjore, ndërkohë që ne vijojmë të jemi një vend me probleme ende të mëdha korrupsioni, po ku akoma nuk kemi aplikim praktik të standardeve të njëjta gjykimi si për qytetarin e thjeshtë, ashtu edhe për politikanin dhe zyrtarin e lartë politik e kushtetues. Politika duhet të japë vetë shembullin e saj dhe kufizimi kushtetues i imunitetit është hapi i parë serioz në këtë drejtim”, apelon Presidenti i Republikës.

Presidenti ka kërkuar zgjedhjen e Avokatit të Popullit, apo edhe zëvendësimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese e Gjykatës së Lartë, duke i kujtuar deputetëve se duhet të përmbushin detyrimet e tyre ligjore.

Zoti Topi ka kërkuar të respektohet pavarësia e institucioneve. Ai kërkuar që të mos përdoret foltorja e parlamentit për të denigruar familje apo individë, si edhe ka sjellë në vëmendjen e parlamentit edhe presionin e ushtruar ndaj tij.

“Palët politike kanë përgjegjësi të krijojnë klimën e besimit, të mos aplikojnë praktika denigruese dhe izoluese për pakicën, për të injoruar mendimin ndryshe apo për axhenda politike personale, të mos ta kthejnë në asnjë rast e për asnjë arsye Parlamentin në gjyq politik, të mos përdorin tribunën parlamentare për të denigruar individë e familje, kategori e shtresa të popullsisë. Si President, jam ndodhur shpeshherë nën presion të fushatave politike për denigrim personal e institucional. Nuk kam zgjedhur të përgjigjem, sepse kam besuar e besoj se interesi madhor publik e qytetar mbetet prioritar mbi çdo akt militant të radhës dhe se dëmi më i madh nuk i bëhet individit president, por qytetarëve, institucioneve dhe imazhit demokratik të vendit. Viktima të të njëjtave retorikave dhe sjelljeve denigruese parlamentare kanë qenë edhe institucione të tjera kushtetuese. Ky model parademokratik komunikimi midis institucioneve duhet të marrë fund”, thotë Topi.

Duke kërkuar që të kryhet menjëhere reforma zgjedhore, presidenti është shprehur se duhet t’i jepet fund tregtisë me votën, spekullimeve militante me vullnetin qytetar, si edhe duhet të ndahet qartë roli i partive dhe i shtetit në fushatë.

Arvizu: Vullnet për reforma

Ambasadori amerikan Aleksander Arvizu ka kërkuar që aktoret kryesore të politikës shqiptare, të tregojnë vullnetin politik, për të cuar përpara reformat që kërkon vendi, një rruge që është ndjekur më parë nga Sllovenia dhe Kroacia.

Arvizu ka theksuar se vete shqiptaret luajne nje rol te rendesishem ne bindjet qe ata kane dhe ne kerkesat qe ata i drejtojne liderve te tyre.

“Eshte shume e rendesishme qe njerezit te perqafojne reformat, te ecin perpara dhe kjo duhet te jete nje perpjekje kombetare. E di qe njerezit thone se eshte e veshtire se ka ndasi politike, por fqinjet si Sllovenia dhe Kroacia e kane kaluar kete hendek, nje menyre qe te ecin drejt integrimit europian dhe nuk ka asnje arsye pse kjo te mos ndodhe ne Shqiperi. Kjo u perket aktoreve politike, qe te kene bindje dhe angazhim por edhe shqiptaret duhet t’ua kerkojne liderëve te tyre”, tha Arvizu.

Top Channel