Ky regjim mund të mundet me vota

31/08/2011 00:00

Mustafa Nano – Ideja e shkrimit tim të fundit të publikuar në “Shqip”
(me titull: “Regjimi që po ngrihet dhe dënglat etike të opozitës”) u
kish rënë rëndë në stomak një numri opozitarësh.

Është një gjë që e prisja, pasi ideja e shkrimit ishte shumë provokative. Në thelb thosha atë që kuptohet dhe nga titulli i atij shkrimi, d.m.th, që së pari Berisha po e ngre një regjim autokratik (gati-gati e ka ngritur këtë regjim; çdo ditë e më shumë po bën, përveç të tjerash, edhe si baba i kombit; pardje mblodhi klerikët e vendit dhe u mbajti një fjalim me rastin e fundit të muajit të Ramazanit; klerikët ishin në kulmin e qejfit; sidomos ata katolikë e ortodoksë); që së dyti, ky regjim priret të bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm; që së treti, opozita e drejtuar nga Edi Rama nuk besohet kur thotë se, ‘duhet të na jepni votën, pasi ne jemi të ndershëm dhe ata janë të korruptuar’; që së katërti kjo opozitë e ka të sigurt humbjen tjetër në vitin 2013 nëse këmbëngul të futet në garë veç me këtë kartë morale, që praktikisht s’e ka; që së pesti, një aleancë Rama-Meta është absurde dhe e ndyrë; dhe që së gjashti e së fundmi, kjo aleancë është për ironi të gjërave, e vetmja mënyrë e sigurt për të mundur Berishën e për të rrëzuar këtë regjim që po ndërtohet, nën të cilin sot po vuajnë socialistët e opozitarët e tjerë, por nesër kanë për të vuajtur edhe Meta, çamët etj.

Këto thosha unë në mënyrë të përmbledhur në atë shkrim. Është një nga shkrimet më të ftohtë e më amoralë që kam shkruar në jetën time. Si rrallë herë pra, kam bërë real-politikë, d.m.th, kam përkufizuar mirë fushën e betejës, forcat e rreshtuara aty, çfarë është vënë në kandar, cilat janë rreziqet, evitimi i rrezikut më të madh, dhe zgjedhja e rrezikut më të vogël. Çne më kapi papritur kjo sevda për real-politikën? Është shumë e thjeshtë. Unë vazhdoj të jem i kapur keq nga shqetësimi që në Shqipëri po instalohet një regjim putin-ian, apo chavez-ian, d.m.th, zgjedhje me demek të lira, dhe një lider i fortë që kontrollon gjithçka, nga institucionet e pasuritë publike e deri tek media e intelligentsia, dhe që i fiton gjithnjë e kollaj-kollaj këto zgjedhje. Shqetësimi më ka kapur sidomos më 21 janar, ku regjimi vrau krejt me gjak të ftohtë katër qytetarë që ishin kritikë me të, mu në bulevard, në prani të kamerave, pa pasur turp më pas t’i përligjte këto vrasje me arsyetime që bëhen nëpër spitale psikiatrike nën duartrokitjet apo heshtjen e intelligentsia-s së vet, m’u rrit edhe ca më 8 maj, kur Berisha vodhi në sy të të gjithëve postin e kreut të Bashkisë së Tiranës, dhe pres të më rritet ende kur mendoj se ai po bëhet gati të marrë presidencën, prokurorin, shërbimet sekrete. Për mua, kush nuk e sheh këtë regjim që po ngrihet, o është i verbër, o është palë me regjimin. Në Shqipëri nuk duhet e nuk mund të ketë përparësi tjetër, veçse të mundim këtë regjim. Çdo shqetësim tjetër vjen pas këtij.

Ky regjim nuk është, megjithatë, në fazën që duhet rrëzuar me dhunë. Për më tepër, nuk ia vlen të rrëzosh me dhunë Berishën për të sjellë në pushtet Ramën. Dhuna ka kuptim veç në një revolucion; e këtejpari, nëse duhet një revolucion, ky duhet kundër Berishës, Ramës, Metës, Topit, e në përgjithësi kundër rendit postkomunist të gjërave. Por ky revolucion “nuk është shtruar për zgjidhje”. S’ka kush ta bëjë. Njihet ajo që duhet rrëzuar, por nuk njihen ata që mund ta rrëzojnë. Por nuk është çudi që të ndodhë më vonë. Një shoqëri, sado ngordhalaqe të jetë, nuk mund të jetojë gjatë në mes të një padrejtësie si kjo e jona.

Ky regjim pra, është ende në fazën që mund të mundet me vota, dhe ky fakt, ndoshta, bën që ndërkombëtarët të mos shohin ende një regjim të frikshëm në Shqipëri. Opozita aktuale, me këtë lider e me këtë qasje (“unë jam ndryshe, jam i moralshëm, jam i ndershëm, – thotë Rama, – madje dhe aleancën me Metën e kam refuzuar për shkak të standardit moral që kam”), nuk ka mundur ta mundë regjimin, edhe pse ka një pakënaqësi e zemërim të madh popullor kundër tij. Duhet pritur që kjo pakënaqësi e ky zemërim të shtohen? Po, mund të ishte një zgjidhje (nga halli) dhe kjo, por nuk është zgjidhje e sigurt. Nuk ka garanci 100% se pakënaqësia popullore do të mjaftojë për ta mposhtur Berishën e të tijtë. E nëse ndodh që Berisha fiton dhe zgjedhjet e vitit 2013, atëherë regjimi legjitimohet e inkurajohet sa më s’ka. Cila është garancia 100%? Personalisht shoh si garanci të tillë vetëm aleancën Rama-Meta. Është e shpifur kjo aleancë? Absolutisht, po. Por unë ju thashë pak më sipër, që analiza ime është e ftohtë, d.m.th, ngrihet mbi premisën që regjimi është e keqja e madhe nr. 1, e që rrëzimi i këtij regjimi përbën përparësinë nr. 1, gjithashtu. Pyetja ime prej Machiavelli është: e doni një qelbësirë si Meta (së cilës nuk kemi ç’t’i bëjmë, dhe kjo duket sheshit) që të mbajë më këmbë një regjim, apo e doni në krahun e atyre që këtë regjim duan ta rrëzojnë? E para se t’më përgjigjeni, po ju rikujtoj, që Berisha i ka të gjitha, tamam të gjitha, por ai zgjedhjet nuk i ka fituar për këtë shkak; ai zgjedhjet i ka fituar me numra, me aleanca, me alkimira para e pas elektorale; kryesisht i ka fituar me Metën. Përsëris: Unë nuk njoh mënyrë tjetër për t’i bërë ballë regjimit. E kush nuk bie dakord me mua, do të thotë se nuk arrin të shohë ndonjë regjim, e se nuk ka frikë prej tij. Le ta gëzojë jetën nën këtë regjim, atëherë!

Top Channel