Klodian Duro firmos për Lask Linz

24/08/2010 12:40

Klodian Duro, që nga dita e djeshme është një lojtar i Lask Linzit në kampionatin austriak të futbollit. Mesfushori i Kombëtares shqiptare firmosi më në fund zyrtarisht me klubin në fjalë.

Lajmi u bë menjëherë publik në faqen zyrtare të klubit dhe në mediat austriake. Lask Linz, i drejtuar nga trajneri Helmut Kraft, po përjeton një moment të vështirë, pasi ka pësuar pesë humbje në po aq ndeshje në këtë fillim sezoni.

Gazeta “Kronen Zeitung” vlerëson se angazhimi i mesfushorit shqiptar 32-vjeçar, Klodian Duro, i cili së fundi luajti në Qipro tek Apollon Limasol, do të ndihmojë skuadrën e tij të re, sidomos në mesfushën ofensive “Pas një bisede midis drejtuesve të Lask-ut dhe trajnerit Helmut Kraft u vendos që të veprohet sërish në merkato. Për këtë arsye, klubi nënshkroi një kontratë me mesfushorin 32-vjeçar, Klodian Duro”, shkruhej në komunikatën zyrtare të publikuar.

Trajneri Helmut Kraft tha pas prezantimit zyrtar të Klodian Duros: “Unë jam i kënaqur që Klodian Duro vendosi për ne. Ai do të na ndihmojë ne me përvojën e tij dhe unë jam i bindur se ai do të jetë një përforcim shumë i mirë për repartin tonë ofensiv. Dy përforcimet e fundit u bënë të mundura falë mbështetjes së partnerit T-Mobile dhe Intersport”, është shprehur vetë Kraft në faqen zyrtare të klubit. Në deklaratën e tij të parë si lojtari më i ri i Lask Linz, vetë Duro nënvizoi: “Lask është një klub me traditë të madhe dhe unë jam i lumtur që me jepet mundësia të luaj për këtë ekip. Unë shpresoj, që të jap kontributin tim, në mënyrë që Lask-u të ngjitet sa më shpejt në pjesën e sipërme të tabelës.

Nga shoku im i ekipit kombëtar, Hamdi Salihi, kam dëgjuar shumë gjëra të mira për futbollin austriak dhe unë pata një bisedë të mirë me trajnerin Kraft dhe pas kësaj unë vendosa për të luajtur në Austri. Unë shpresoj, që të dielën kundër Rapidit të Vjenës të jem për herë të parë në formacion”. Klubi dëshiron që trajneri Kraft me dy rekrutimet e fundit (edhe të Emin Sulimanit) të përforcojë mesfushën dhe të ushtrojë një presion më të madh drejt sulmit, pasi drejtuesit e klubit e mbështesin 100 për qind trajnerin e tyre.

Lask Linz vlerëson faktin së blerja e re, Klodian Duro, është një futbollist me shumë ndeshje me Kombëtaren shqiptare, por vlerëson edhe përvojën e tij të gjatë ndërkombëtare sidomos në Turqi, kur ka qenë edhe te Gallatasaraj, por dhe në Bundesligën gjermane tek Arminia Bielfeld. Sipas klubit austriak, trajneri Helmut Kraft e ndoqi Klodian Duron së fundi në ndeshjen e Shqipërisë kundër Uzbekistanit, ku edhe mori sinjale pozitive nga mesfushori shqiptar. Duro do të mbajë numrin 10 në fanellë. Gjatë merkatos Duro ishte përfolur se mund të luante te Dinamo, por ai zgjodhi Europën.

Top Channel