Një udhëtim në garazhin historik

19/04/2010 19:20

Në mizërinë e pafundme të stresit dhe inxhinierisë mekanike, çlodhja e vetme për syte mbeten ndonjëherë vetëm ato, makinat e bukura.

Të gjithëve na ka rënë rasti, ndërsa ecim në rrugë, të shikojmë me adhurim objekte të rralla më katër rrota që kalojnë pranë nesh plot sqimë. Në një kaos të pashoq hekurishtesh të motorizuara do bëjmë një vizitë në garazhin e një koleksionisti makinash.

Personi që na mirëpret quhet Ervin Kaftira dhe pasioni i tij janë këto bukuroshe të fjetura. Beatle i verdhë është vetëm një nga xhevahirët që ky njeri fsheh në garazhin e tij modest. E gjithë kjo dashuri për makinat ka një zanafillë të hershme. Ervini ka qenë shumë i vogël kur ka shkelur për herë të parë gazin e një makine. Ishte babai i tij Skënderi, ai që pa e kuptuar e futi në këtë rrugë. Atë e bir janë po kaq të fiksuar edhe sot pas makinave.

Nëse dikush i thërret kujtesës, ata janë të parët që kanë sjellë limuzinat e famshme amerikane në Tiranë. Ashtu sikurse çdo koleksionist, edhe Ervini tregon kujdes maksimal për krijesat e tij. “Makinat i laj shpeshherë sepse këto janë makina që kushtojnë. I ndez herëpashere, pasi po nuk i ndeze ka probleme me motorin”, thekson Ervini. Koleksionistët e makinave në një farë mënyre mund të quhen fare mirë edhe gjuetarët e rrugës.

Ata lëvizin shumë dhe janë gjithmonë të vëmendshëm ndaj relikeve motorrike që u kalojnë pranë. Të mbash të gjallë një pasion të tillë dhe sidomos për makinat epokë, ka kosto.

“Eshtë shumë e vështirë t’i mbash, pasi këto janë makina që është e vështirë te gjesh pjesë motorrike”, shton Ervini. Janë të shumtë ata që joshen nga bukuria dhe eleganca e makinave. Ofertat nuk mungojnë, por Ervini duket se e ka të vështirë të bëjë biznes me këto relike që koha i ka bërë edhe më të paçmueshme. “Makinat nuk i shes. M’i kanë kërkuar por nuk jam joshur. Pergjithësisht i përdor kur dal me familjen”, perfundon koleksionisti kryeqytetas.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel