
Gaia Vitiello, 24 vjeçe nga Napoli, studente në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin “Federico II”, është një nga 11 personat që përfunduan në spital pas një helmimi të rëndë me botulizëm, pas konsumimit të ushqimit nga një furgon ushqimor në qytetin turistik Diamante.
Ngjarja tronditëse ka detyruar organizatorët e festivalit “International Street Food” të anulojnë të gjitha aktivitetet në Kalabri, ndërsa në mbarë Italinë janë intensifikuar kontrollet nga autoritetet shëndetësore dhe karabinierët e Njësisë së Specializuar NAS.
“Po të mos ishte motra ime Alessia që më çoi me forcë në spital, sot nuk do isha këtu,” – rrëfen Gaia nga repartit i Reanimacionit në spitalin “Annunziata” të Cosenza-s. Tashmë jashtë rrezikut për jetën, ajo është e lumtur që do të transferohet nga kujdesi intensiv në repartin e Mjekësisë së Përgjithshme.
Rrëfimi i vajzës që u helmua nga një panine në orën 4:30 të mëngjesit
Ngjarja ndodhi në orët e para të 5 gushtit, kur pas një nate në diskotekë, Gaia dhe miqtë e saj vendosën të konsumonin panine në një nga furgonët më të njohur të zonës, “Peppino”.
“Miqtë e mi zgjodhën një panine me salsiçe, patate dhe majonezë. Unë shtova edhe brokoli. Ishte hera e parë që e bëja këtë,” – thotë ajo.
Vetëm një orë më vonë, ajo filloi të ndjente simptomat e para – diarre e menjëhershme, e cilësuar fillimisht si një tretje e keqe. Por të nesërmen gjendja u përkeqësua ndjeshëm: Gaia nuk mund të gëlltiste më dhe ndiente dridhje të forta në këmbë.
Pas vizitës së parë në një klinikë lokale në Belvedere Marittimo, mjekët e dërguan menjëherë me urgjencë në spitalin e Cosenza-s, ku mjekët e Reanimacionit e trajtuan me antitoksinën specifike, të sjellë në kohë rekord nga farmacia ushtarake në Taranto.
Gjendja aktuale dhe planet pas shërimit
Në total, 11 persona janë shtruar në spital si pasojë e këtij helmimi, nga të cilët 3 në terapi intensive, 3 në repartin pediatrik dhe 5 në repartet e tjera të përgjithshme.
Gaia është mirënjohëse për ndërhyrjen e shpejtë të mjekëve dhe nuk heziton të rikthehet në Diamante:
“Vijmë çdo vit me familjen. Është një vend i mrekullueshëm buzë detit. Sigurisht që do të kthehem.”
Pas daljes nga spitali, Gaia planifikon të përqafojë gjyshen e saj, të pushojë në det dhe të takojë miqtë e saj për një lojë me letra – ndoshta me më shumë kujdes për përbërësit në panine.
Top Channel