
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka ngritur aktakuzë kundër tre personave për neglizhencë, që çoi në shembjen e strehës në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.
Në këtë incident, që ndodhi më 1 nëntor të vitit të kaluar, humbën jetën 15 persona.
Aktakuza u ngrit kundër menaxheres së zhvillimit të investimeve në kompaninë “Infrastruktura Hekurudhore e Serbisë”, kryetarit të Komisionit për Inspektimin Teknik të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, dhe anëtares së këtij komisioni.
“Aktakuza u ngrit në lidhje me kryerjen e veprave penale me elemente korruptive, të cilat kanë rezultuar me shembjen e strehës”, tha kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë Publike, Nenad Stefanoviç.
Që pas tragjedisë në Novi Sad, studentët në Serbi kanë organizuar protesta dhe bllokada masive në disa qytete të vendit, duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për rastin.
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç, ka dhënë dorëheqje, ashtu si edhe kryetari i Novi Sadit, Millan Gjuriç. Presidenti Aleksandar Vuçiç ka thënë se kërkesat e studentëve janë plotësuar, por protestat e tyre vazhdojnë, duke tërhequr edhe qindra mijëra qytetarë.
Top Channel