Rrëzohet Buxheti i Bashkisë së Vlorës për vitin 2027, Prefektura: Shkelje ligjore, nuk e konfirmojmë ligjshmërinë e planit të miratuar

27/11/2026 17:28
Foto ilustruese

Prefektura e Vlorës ka kthyer për rishikim buxhetin e Bashkisë Vlorë për vitin 2027. Shkak për këtë vendim është bërë koha kur është miratuar buxheti vendor, përpara miratimit të buxhetit të shtetit.

Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Allushi, sqaron se kthimi për rishikim nuk lidhet me shumën e parashikuar në buxhet, por me faktin se ai është miratuar përpara se të miratohej buxheti i shtetit për vitin 2027.

Tashmë Bashkisë së Vlorës i duhet të rishikojë buxhetin dhe ta rikthejë atë për procedurat e mëtejshme të miratimit. Vendimi vjen pas ankesës së 17 këshilltarëve të opozitës, të cilët kanë ngritur pretendime për shkelje procedurale dhe ligjore gjatë hartimit dhe miratimit të dokumentit financiar.

Buxheti i Bashkisë Vlorë për vitin 2027 është kthyer në qendër të një përplasjeje institucionale, pasi Prefektura nuk ka konfirmuar ligjshmërinë e vendimit të marrë nga Këshilli Bashkiak.

Buxheti u miratua më 16 nëntor, gjatë një mbledhjeje që zgjati rreth gjashtë orë, me votat e shumicës. Gjatë diskutimeve, këshilltarët e opozitës kundërshtuan procedurën e ndjekur, duke pretenduar se në hartimin dhe miratimin e tij ishin shkelur dispozita ligjore.

Një ditë pas mbledhjes, më 17 nëntor, nënkryetari i Këshillit Bashkiak dhe tre kryetarët e grupeve të opozitës, në emër të 17 këshilltarëve, iu drejtuan zyrtarisht Prefekturës së Vlorës.

“Buxheti i Bashkisë Vlorë për vitin 2027 rrëzohet nga Prefektura për shkelje ligjore! Më datë 16 nëntor u zhvillua mbledhja e Këshillit Bashkiak Vlorë, ku me votat e Partisë së Rilindjes u votua dhe miratua buxheti për vitin 2027.

Pas 6 orësh diskutimesh dhe këmbënguljes së këshilltarëve të opozitës, të cilët ngritën pretendime konkrete për shkelje procedurale dhe ligjore në hartimin dhe miratimin e këtij buxheti, ai u miratua nga shumica.

Më datë 17 nëntor, nënkryetari i Këshillit Bashkiak dhe tre kryetarët e grupeve që përfaqësojnë 17 këshilltarë të opozitës, i drejtuan një shkresë zyrtare Prefekturës, duke paraqitur argumentet ligjore dhe kërkesën për të mos konfirmuar ligjshmërinë e këtij vendimi. Sot, Prefektura i ka përcjellë Bashkisë Vlorë shkresën zyrtare, duke mos e konfirmuar ligjshmërinë e buxhetit të miratuar.

Në ditët në vijim pritet njoftimi nga Kryesia e Këshillit Bashkiak për thirrjen e mbledhjes së radhës, ku do të duhet të shqyrtohet dhe të ndiqet procedura për një miratim të ri të buxhetit. Kjo është arsyeja pse transparenca, respektimi i ligjit dhe përgjegjësia institucionale nuk mund të anashkalohen”, thuhet në njoftim.

Top Channel