SPAK çon për gjykim grupin e Igli Kamberit që trafikonte drogë e pastronte paratë mes Italisë dhe Shqipërisë, si funksiononte skema, zbulohet “kyç” e shoqja

26/11/2026 13:06

SPAK ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme 10 persona, të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që vepronte mes Shqipërisë dhe Italisë, duke u përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike, pastrimin e parave dhe vepra të tjera të rënda penale, përfshirë vrasjet me dashje.

Hetimet janë zhvilluar nga një skuadër e përbashkët hetimore mes SPAK-ut dhe Prokurorisë së Posaçme Antimafia (DDA) të Barit, në Itali, me mbështetjen e Eurojust.

Në qendër të skemës, sipas hetimeve, ishte Igli Kamberi, i cili menaxhonte aktivitetin e trafikimit të drogës në Itali dhe vendoste për destinacionin e parave të përfituara nga aktiviteti kriminal. Ndërsa Ergys Kastrati, i njohur edhe si Bishja, dyshohet se shërbente si furnizues dhe ndërlidhës mes anëtarëve të grupit, duke dhënë porositë për marrjen e parave në Itali.

Një rol të rëndësishëm në mekanizmin e pastrimit të parave kishte edhe bashkëshortja e Igli Kamberit, Nevila Kamberi. Sipas SPAK-ut, ajo administronte arkën e grupit dhe vendoste për shumat që do të transferoheshin, personat që do të transportonin paratë dhe destinacionin e tyre në Shqipëri.

Si funksiononte skema e transportimit të parave?

Sipas hetimeve, paratë e përfituara nga shitja e lëndëve narkotike në Italinë e Jugut dhe zona të tjera të vendit transportoheshin drejt Shqipërisë përmes një mekanizmi të organizuar dhe të koordinuar.

Për të shmangur kontrollet e autoriteteve dhe gjurmimin e shumave monetare, grupi përdorte kryesisht shoferë të transportit ndërkombëtar dhe korrierë, të cilët i kalonin paratë përmes rrugëve informale.

Shumat fshiheshin në automjete ose mes sendeve të zakonshme, si veshje të përdorura. Transportuesit shpërbleheshin me një përqindje të shumës që arrinin të transferonin.

SPAK ka dokumentuar edhe një rast konkret të kësaj skeme. Më 14 nëntor 2024, në Pikën e Kalimit Kufitar të Murriqanit, në Shkodër, gjatë një kontrolli të koordinuar në kuadër të hetimit të përbashkët, u sekuestruan 680.595 euro.

Paratë ishin fshehur në një hapësirë të përshtatur posaçërisht në automjetin tip “Mercedes-Benz”, me targa AB216RE, që drejtohej nga Lefter Nelaj.

Roli i secilit prej të pandehurve

Sipas dosjes hetimore, përveç Igli Kamberit dhe Ergys Kastratit, mekanizmi i grupit funksiononte përmes disa personave të tjerë, të cilët kishin detyra të përcaktuara.

Edi Brahaj koordinonte zbatimin e porosive dhe kontrollonte transportuesit, duke u dhënë udhëzime për itinerarin, fotografimin, paketimin dhe fshehjen e parave.

Bardhok Gjergji përcillte porositë për marrjen e shumave monetare, duke shërbyer si një tjetër hallkë e mekanizmit.

Lefter Nelaj ishte një nga transportuesit e parave. Sipas SPAK-ut, ai ndiqte udhëzimet e koordinatorëve dhe dërgonte fotografi të shumave të marra, si dhe informacione mbi grumbullimin dhe transferimin e tyre.

Ndërkohë, Nevila Kamberi, bashkëshortja e Igli Kamberit, administronte arkën e grupit dhe vendoste për shpërndarjen e parave, transportuesit dhe destinacionin e tyre në Shqipëri.

Edhe Dituri Buzi kishte një rol në këtë mekanizëm. Ajo bashkëpunonte me vajzën e saj, Nevila Kamberi, dhe Saimir Pirrën për transferimin e parave nga Italia drejt Shqipërisë. Sipas hetimeve, ajo ishte në dijeni të origjinës kriminale të shumave monetare dhe ishte bërë pjesë aktive e mekanizmit të ruajtjes dhe transferimit të tyre.

Saimir Pirra dyshohet se ka transportuar fizikisht shuma monetare në dy episode të dokumentuara, në koordinim me anëtarët e tjerë të grupit.

Sokol Fusha ishte gjithashtu pjesë e zinxhirit të transportimit të parave, duke kaluar shuma të fshehura në vende të ndryshme nga Italia në Shqipëri.

Ndërsa Idajete Kurti, e cila kishte lidhje familjare me Igli Kamberin, dyshohet se shërbente si person i besuar për marrjen dhe ruajtjen e përkohshme të parave në banesën e saj, me qëllim shmangien e sekuestrimit të tyre.

10 të pandehurit që do të përballen me drejtësinë

SPAK ka kërkuar gjykimin e:

Igli Kamberit;
Ergys Kastratit, alias Bishja;
Nevila Kamberit;
Idajete Kurtit;
Bardhok Gjergjit;
Lefter Nelajt;
Edi Brahajt;
Dituri Buzit;
Saimir Pirrës;
Sokol Fushës.

Ata akuzohen për pastrim të produkteve të veprës penale, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga ky grup, sipas neneve përkatëse të Kodit Penal.

Hetimet për këtë grup kriminal vijojnë në Shqipëri dhe Itali, me qëllim identifikimin e plotë të personave të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal.

Top Channel