Operacioni i Veliajt/ Avokati Ndreca i drejtohet GJKKO-së, kërkon ndërhyrje në një spital privat në Tiranë

21/11/2026 11:00

Pasi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se ka planifikuar 23 nëntorin si ditën kur Erion Veliaj mund ta kryejë ndërhyrjen në Spitalin Memorial, avokati i tij thotë për TCH se i janë drejtuar Gjykatës së Posaçme që të vendosë se çfarë do të ndodhë.

I pyetur nga gazetarja Anila Hoxha, Plarent Ndreca tha se ‘kërkesa urgjente i ishte dërguar GJKKO-së mëngjesin e së premtes’. Shkresa tregon se autorizimi i kërkohet Gjykatës së Posaçme për ta kryer ndërhyrjen në një spital privat në Tiranë.

Në shkresën e depozituar dje, Ndreca kërkon gjithashtu që Veliaj të shoqërohet dhe të shtrohet në këtë spital për ndërhyrjen dhe trajtimin pasoperativ. Avokati Ndreca është shprehur gjithashtu se  do të pritet vendimi i gjykatës në lidhje me ndërhyrjen.

Mbrojtja argumenton se Veliaj ka pësuar një frakturë gjatë qëndrimit në paraburgim, e cila nuk është bashkuar, ndërsa ortopedi i Spitalit Memorial Fier ka rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale. Avokati pretendon se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka vonuar sigurimin e kontrolleve dhe dokumentacionit mjekësor, duke penguar marrjen në kohë të trajtimit.

Në kërkesë propozohet që ndërhyrja të kryhet në njw spital privat nw Tiranw, nëse pas vlerësimit mjekësor konfirmohet nevoja për operacion. Veliaj shprehet i gatshëm të mbulojë vetë shpenzimet e trajtimit në spitalin privat. Tashmë i takon GJKKO-së të vendosë për kërkesën e mbrojtjes.

Top Channel