Rënie me gati 10% e aksioneve të Anthropic, zhduken fitimet pas debutimit historik në Nasdaq
Një raketë ruse kruiz e tipit Kh-101 është përplasur në territorin e Polonisë, pasi tre objekte shkelën hapësirën ajrore të vendit.
Momenti i goditjes është filmuar nga kamerat e sigurisë në një fermë, ndërsa autoritetet polake e cilësojnë incidentin si provokim nga Moska.
Klikoni për të parë videon e përplasjes së raketës në territoret polake.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur një raketë ruse përplaset në një zonë rurale të Polonisë juglindore, duke shkaktuar një zhurmë të fortë dhe shpërthim.
Ngjarja ndodhi në orët e para të së premtes, në zonën e Nowy Lipowiec, rreth 50 kilometra larg kufirit me Ukrainën.
Sipas Ministrisë polake të Mbrojtjes, bëhet fjalë për një raketë kruiz të tipit Kh-101, e projektuar për goditjen e objektivave me precizion. Raketa u rrëzua rreth orës 06:30, ndërsa autoritetet konfirmuan se nuk pati persona të lënduar apo dëme të raportuara.
Një tjetër raketë e dyshuar u rrëzua pranë Rudnik nad Sanem, në perëndim të zonës së parë të goditjes, ndërsa një dron me motor reaktiv u rrëzua pranë Mołodycz.
Dëshmitarja lokale Natalie Szponar tregoi se në momentin e incidentit po përgatiste fëmijët për të shkuar në shkollë, kur dëgjoi fillimisht një tingull si fishkëllimë dhe më pas një goditje të fortë.
Kryeministri polak, Donald Tusk, e cilësoi ngjarjen si një provokim nga Rusia, duke ngritur dyshime se shkelja e hapësirës ajrore nuk ishte aksidentale. Ai vuri në dukje se incidenti ndodhi pranë zonës ku po zhvillohen stërvitje ushtarake të vendeve perëndimore.
Ndërkohë, Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, deklaroi se Varshava do t’i kërkojë NATO-s mbështetje shtesë pas këtij incidenti.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dënoi shkeljen e hapësirës ajrore polake dhe konfirmoi se avionët e aleancës u ngritën në ajër në përgjigje të situatës.
Deri më tani, Rusia nuk ka dhënë një reagim zyrtar lidhur me incidentin.
Top Channel