“A duhet të jetë Veliaj në burg?”/ I riu i kthehet Iljazajt: E meriton, por për sa kohë i prish punë Ramës…
Mbrëmjen e sotme në studion e “Topin e kam unë” u diskutua për protestat e fundit të zhvilluara në vend nga të rinjtë.
Pedagogu Ervis Iljazaj theksoi se studentët nuk përbëjnë një shtresë të re shoqërore, por një grup me bindje dhe interesa të ndryshme, duke nënvizuar se protesta nuk mund të zëvendësojë idetë dhe përfaqësimin politik.
Pjesë nga debati:
Artenisa: Shumë shpesh ne, rinia, ndoshta nuk e dimë çfarë duam. Ne duam thjesht që gjërat të jenë transparente.
Nuk po themi patjetër që tani na zgjidhni neve. Ne thjesht po provojmë diçka që nuk kishim mundësi ta provonim. Dhe çdo gjë që ka nisur të bëhet është shuar në mënyra shumë jo të dukshme për publikun, thjeshtë me kërcënime, kështu që në këto momente ne jemi hapur dhe thjeshtë themi që ne do bëjmë atë çfarë duam ne të bëjmë.
Adelajda: Në këtë panel më thatë që edhe këta nuk e dinë. Unë dëgjoj shpesh intervista, edhe pse nuk jam shumë e interesuar në politikë.
Dëgjova një intervistë të Albin Kurtit të viteve 2000, kur ishte lider i majtistëve. Ishte thjesht një njeri. Kush do ta mendonte që një njeri pa shumë mbështetje do të ishte kryeministër i Kosovës pas 20 vitesh?
Kur ndoshta të gjithë e mendonin pak si kokëkrisur. I tha Baton Haxhiut, që negociatat fillojnë prej realitetit, lufta fillon prej idealit”.
Kështu që ne kemi gjënë më të rëndësishme, idealin. Idealin nuk e fiton prej eksperiencës, e ke të lindur. Idealin e ke 10 vjeç, 20, 30 vjeç.
Dhe unë e ndjej idealin në protestë. Kur unë dëgjoj Gen Z që thotë që Edi Rama ka marrë fund, pra ai ka marrë fund. Ndoshta unë, që jam ndoshta pak më e madh, kam dyshime nëse ka marrë fund apo jo. Për ta po, kështu që nëse e ëndërron e bën, ndaj nuk ka më diskutim
Iljazaj: Nuk e di pse i morët si kritika, kur ishin vetëm konstatime unë iu referova sociologëve, filozofëve politikë që kanë bërë studime për shoqërinë e sotme. Pra, nuk ishte mendimi im personal.
Kejdi: Mbase sociologët dhe politikanët donin të shtynin një narrativë
Iljazaj: Nuk besoj që kemi arritur ende në pikën që të kritikojmë edhe studimet shkencore dhe atë që kanë konkluduar shkencëtarët.
Studentja: Nuk e kritikojmë, thjesht mund të ekspozojmë që duan të shtyjnë një narrativë specifike.
Iljazaj: Nuk ishte kritikë, ishte konstatim se më duket sikur u vutë në mbrojtje.
Kejdi: Jemi brezi i parë që ka një problem shumë të rëndësishëm, që është inflacioni. Kur kam lindur, e njëjta shtëpi kushtonte 30 mijë euro, tani kushton 300 mijë euro dhe është e pamundur. Kështu që ne mbetemi vetëm te pjesa “duhet”. Dhe nuk e di a ju bën çudi të gjithëve, të themi që jemi brezi i parë, plotësisht i rritur me internetin në dorë, që ka të gjitha bibliotekat më të mëdha botërore brenda, pa pasur nevojë për të blerë libra. Nga brezi ynë do të vijë revolucioni, sepse ky inflacion, ku shtëpia bëhet 300 mijë euro dhe pastaj 3 milionë euro, dhe pastaj 30 milionë euro, nuk do të vazhdojë përgjithmonë.
Curi: Juve ku e fusni veten?
Kejdi: Personalisht, unë nuk besoj se vlera ime do të shpallet nga unë. Le të gjykojë publiku.
Curi: Po të pyes sepse edhe nga mënyra se si komunikoni, ke dhe një nënqeshje, duket se e konsideroni veten të gjenitë.
Kejdi: Nuk mund ta them unë. Duhet ta thotë publiku për mua. Plus nënqeshja vjen nga sa shumë dua të them.
Iljazaj: Duhet të them që, është krijuar ideja se me këto protestat në Shqipëri, shpeshherë thuhet “lëvizja e studentëve”, “protesta e studentëve”. Pa dashur, po krijohet një shtresë shoqërore e re në Shqipëri. Ne kemi pasur më përpara shtresa sociale të ndryshme: shtresën e punëtorëve, shtresën e sipërmarrësve, shtresa mbi të cilat u zhvillua edhe politika. Ndërkohë, këtu duket sikur po krijohet një shtresë shoqërore e re, e cila po krijon një lloj frakture shoqërore dhe po krijon dhe një lloj frakture politike dhe përfaqësimi politik. Ndërkohë që studentët nuk janë shtresë shoqërore, janë grup shoqëror. Ka një dallim shumë të madh. Shtresa shoqërore përcaktohet sipas situatës social-ekonomike. Dhe çfarë problemi ka? Problemi është që këtu bëhet një diskutim brezash, edhe politik. Pra, sikur fraktura e re shoqërore nuk është më e majtë, e djathtë, konservatore, liberale, socialiste, komuniste, por është frakturë brezash brezave. Ndërkohë, deri tani, nga të gjitha studimet politike, politika moshore nuk ekziston. Politika ideore dhe përkatësia e shtresës shoqërore ekziston. Për shembull, po t’ju pyes unë, këtu janë edhe studentë, po t’ju pyes për taksën e sheshtë apo progresive, besoj se jo të gjithë janë njësoj. Po t’ju pyes për liritë sociale apo jo… Pra, kjo studentët duken si një kategori shoqërore, si një trup organik i njëjtë, i pandryshueshëm. Ndërkohë, studentët, në kuptimin e shtresave shoqërore dhe të politikës, është një etiketim abstrakt. Studentë ka komunistë, liberalë, ateistë, besimtarë, konservatorë. Pra, çfarë do të thotë “studentët” politikisht?
Top Channel