“Protestat: Kërkesat përbashkuese diktojnë shtrëngimin e dhëmbëve për dallimet”

01/11/2026 14:07

Editorial nga Preç Zogaj

Kërkesat janë dorëheqja e kryeministrit Rama dhe shkuarja në zgjedhje me një qeveri teknike. E provuar nga PD pa sukses në të gjitha zgjedhjet qëkurse ka dalë në opozitë. Por në një kontekst të ri politik kësaj radhe, që e zhbën si të pamundur.

Konteksti i ri janë aferat e shumta korruptive në oborrin e vogël dhe të madh të pushtetit të Ramës, në hetim dhe në gjykim mjaft  prej tyre. Hetimi i tyre nuk e ka prekur ende drejtpërdrejt kryeministrin, por duke i damkosur e “shkulur” bashkëpunëtorët e afërt ia ka liruar rrënjët.

Lidhur me këto afera, si një reagim ndaj tyre, janë protestat rinore popullore që nisën në fund të muajit maj dhe kanë vazhduar pa ndalim sot e kësaj dite. Ato nxorën në bulevard disa herë një masë shumë të madhe opozitarësh pa parti, kryesisht të rinj, që shpallën veç të tjerash papajtueshmërinë e tyre me establishmentin Rama-Berisha.

Kontekstit të ri mund t’i shtojmë edhe faktorë të tjerë me peshë të sferës gjeopolitike, por mjaftojnë këto të brendshmit.

Përveçse prani të madhe njerëzore, përballja e qytetarëve pa parti me regjimin ka kërkuar e kërkon qartësi dhe mençuri të madhe në drejtim, duke qenë se çdo hap i pamatur i palës sfiduese i shkon në favor të sfiduarit, atij që nuk po mundet. Beteja të tilla politike zhvillohen në fije të perit, në një garë durimi, ku kryeministri ka avantazhin e komoditetit dhe kapitalizimit të gabimeve që mund të vijnë nga protesta.

Në këto rrethana, kreu i opozitës më të madhe parlamentare, Berisha, edhe pse e ka parë veten dhe partinë e tij të tejkaluar si forcë e shesheve, e ka mbështetur protestën popullore me deklarata dhe me thirrje drejtuar anëtarëve të PD-së për të marrë pjesë si qytetarë. Pavarësisht se njëri prej sloganeve të protestës e vendoste çift me Ramën në thirrjen prokuroriale për t’i çuar në burg të dy.

Kam dëgjuar shumë njerëz të shprehin habi se si Berisha mbështet një protestë ku mjaft prej protestuesve kërkojnë burgosjen e tij. Në rrethanën e dhënë, edhe nëse i është dashur të shtrëngojë dhëmbët (por më thotë mendja se e ka kaluar me një nënqeshje), qëndrimi i Berishës ka qenë i drejtë, largpamës.

Fjala mort nuk bën. “Prerja” prokuroriale është një standard ende i trashëgueshëm i retorikës politiko-popullore në vendin tonë. Na e kanë lënë parardhësit, sidomos Enver Hoxha. Berisha vetë ka shqiptuar dhe shqipton pambarim pretenca politike me leksikun dhe tonin e një prokurori. E di se këto pretenca nuk e impaktojnë drejtësinë, e cila operon me padi të rregullta, me hetim, prova dhe gjykim në tri e katër shkallë. Ai është tashmë në një proces gjyqësor. Edhe po të merrte një dënim, nuk shkon në burg për shkak të moshës.

Nga ana tjetër, Berisha nuk mund të mos u bashkohej kërkesave të protestuesve, shumë prej të cilave kanë qenë dhe mbeten kërkesa të Partisë Demokratike. E kundërta do të ishte vetëvrasje politike për PD-në.

Dorëheqja eventuale e Ramës do të ishte përfitimi i tij që nuk e arriti kurrë vetë, por do t’i vinte si dhuratë. Nëse kjo do të ndodhte, Berisha do të ishte një aktor me peshë i tryezës eventuale për krijimin e një qeverie teknike dhe çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme me një ligj të ri dhe infrastrukturë të re zgjedhore.

Në këtë tryezë atij do t’i jepej mundësia të diktonte sa të mundej vullnetin e tij, duke gëzuar mirëkuptimin e Ramës në emër të konsensusit. E gjithë kjo edhe për faktin se Rama është më komod me një parti të zvogëluar, së cilës ia ka marrë dorën ta mundë prej trembëdhjetë vitesh, sesa me “enigmat” e një organizmi të ri politik që do të dilte nga protesta.

Ngado që ta marrësh, pavarësisht kostos së jofunksionalitetit që do të paguanin nga suksesi i protestës, PD dhe Berisha nuk kishin dhe nuk kanë zgjidhje më të mirë sesa mbështetjen e saj.

Kushdo e kupton se politikisht ai është mes dy zjarresh. Nga një anë, protesta u jep zë dhe peshë kërkesave të vjetra të PD-së për të shkuar në zgjedhje pa Ramën kryeministër. Nga ana tjetër, nisur nga fitorja e listës studentore në Serbi, e cila mundi autokratin Vuçiç dhe njëherësh nxori nga loja opozitën serbe, Berisha ka pse t’i druhet një organizmi politik studentor dhe rinor që do ta gërryente më tej Partinë Demokratike.

Edhe po të ishte krejt kështu, interesi i vendit kërkon dhe përligj çdo sakrificë për rrotacionin e pushtetit sa më shpejt të jetë e mundur. Por nuk është krejt kështu. Ajo që ndodh në një vend nuk zbatohet mekanikisht në një vend tjetër. PD dhe opozita e Shqipërisë nuk kanë qenë dhe nuk duken të jenë fituese edhe për gafat e tyre të shumta, për të cilat kam shkruar disa herë. Por PD mbetet një opozitë e ngulitur në territor dhe e mbështetur nga një numër i madh qytetarësh.

Qëndrimi i Berishës në krye të saj, në shkelje të statutit, mund të merrte njëfarë “përligjie” pragmatiste në perspektivën e njohjes dhe angazhimit zyrtar të SHBA-së me të si kryetar i PD-së. Gjë që nuk ka ndodhur. Sidoqoftë, qëndrimi i tij në këto kushte, shto dhe moshën që bën të vetën, i siguron PD-së një zvogëlim të ngadalshëm. Pra, as fitoren, as shuarjen e menjërshme siç ndodhi me opozitën serbe.

Kësisoj, duke supozuar se ka për qëllim rrotacionin e pushtetit si një interes publik, atij i mbeten sipas meje dy zgjidhje: Njëra është hapi prapa, për t’i hapur rrugë zgjedhjes me votë të lirë të një lideri të ri që do të kuronte automatikisht përçarjen e Partisë për një nisje të re të saj, duke përqafuar jo vetëm me fjalë projektin e një opozite plurale.

Tjetra, imediatja, është shërbimi i kohezionit mes gjithë partive të opozitës rreth kërkesave kryesore të protestës. Spektri përbëhet nga parti me dallime ideologjike thelbësore, të tilla që nuk mund të konkurrojnë në një front për marrjen e pushtetit. Por kontribuon secila për të hapur rrugën.

Bashkimi dikton shtrëngimin e dhëmbëve për dallimet, së paku deri në zgjedhje. Kur të vijnë zgjedhjet, shkon secili në korsinë e vet.

Asgjë nuk e përligj në këtë fazë një luftë brenda spektrit opozitar, nga e cila përfiton vetëm kryeministri dhe shumica e tij.

Top Channel