Analiza/ Kreshnik Spahiu: 10 arsye pse u shua dhe privatizua protesta Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një sërë masash të reja për mbrojtjen dhe edukimin e të miturve, pas shqetësimeve për rritjen e dhunës mes të rinjve.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, ku u diskutua për mësimet e javëve të fundit dhe nevojën për një plan të përbashkët veprimi me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, Rama foli për përgjegjësinë e familjeve, mbështetjen sociale dhe kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga të miturit.
Ai bëri të ditur se do të nisë një diskutim me prindërit, mësuesit dhe shkollat për vendosjen e kufizimeve të moshës në platformat sociale, ndërsa propozoi edhe penalitete financiare për familjet në rastet kur fëmijët shkaktojnë dëme. Kryeministri theksoi gjithashtu nevojën për më shumë mbështetje për familjet në nevojë dhe zgjerimin e aktiviteteve sportive e kulturore për fëmijët.
“Përpara se sa të shpjegojmë e të gjejmë se kush i përdori dhe i keqpërdori, duhet të shpjegojmë dhe të gjejmë se si familjet e tyre duhen ndihmuar për t’i kthyer në një sens bashkëjetese dhe respekti për të tjerët.
Ne kemi ndjekur me vëmendje se çfarë ka bërë bota demokratike në raport me këtë fenomen dhe ça ka bërë së fundmi Franca apo Italia ku dhuna e të miturve ka qenë jashtëzakonisht prezente, dhe patjetër që edhe ne nuk mund të mos adoptonim një penalizim të familjeve në aspektin administrativ dhe financiar për dëmet që shkaktojnë fëmijët e tyre.
Por përsëri e përsëri, dua ta nënvizoj që nëse për një të rritur dënimi i merituar dhe izolimi nga pjesa tjetër e shoqërisë sipas ligjit, e përfundon misionin dhe funksionin e shtetit në raport me sigurinë dhe me mbrojtjen e lirive dhe të drejtat e të tjerëve, për një të mitur thjesht e vetëm e vendos në tryezë që misioni nis aty.
Tjetra që duhet të kuptojmë ne, me ndihmën tuaj shpresoj, është çfarë duhet të zgjerojmë dhe si mund të zgjerojmë ne në aspektin e mbështetjes së familjeve duke filluar nga ato më në nevojë. Ne sot kemi një subvencionim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të gjitha nënat e papuna që rrisin fëmijë të mitur dhe që janë kryefamiljare, por nuk mjafton.
Në buxhetin e ri kemi vendosur që bonusin e bebes ta transformojmë në një skemë mbështetje të rregullt për fëmijët çdo muaj, që të ndikojmë në të ardhurat e familjeve që kanë një fëmijë më shumë, por nuk mjafton qartësisht.
Kemi vendosur të rrisim në mënyrë domethënëse për të vërtetës më shumë se dyfish mbështetjen financiare për studentët që vijnë nga familje në nevojë, e cila do të shkojë në nivelin e gjysmë page minimale, por patjetër që nuk mjafton për të thënë që ne e kemi kryer funksionin tonë.
Dhe mbi të gjitha mbi të gjitha unë besoj shumë fort që kjo situatë e re, e gatuar me vite në Europë edhe në Shqipëri si rezultat i arsyeve që janë sa të ngjashme aq edhe të ndryshme, kërkon një qasje te re ndaj gjithçkaje që ndihmon socializimin fizik të njerëzve. Është shumë e qartë që rrjetet sociale kanë stimuluar një vetmi të një natyre shumë të rrezikshme për bashkëjetesën demokratike në një hapësirë sociale të përbashkët dhe e kanë stimuluar një kapërcim të kufijve midis reales dhe virtuales në pikën që kanë nxjerrë psikologët në konkluzionin që shumë nga këta të mitur e konsiderojnë një mundësi të tillë, si një mundësi për të hyrë fizikisht në një PlayStation dhe duhet hapur debati që si dhe kur duhet të kufizojmë aksesin në rrjetet sociale të të miturve. Dhe deri në cilin kufij moshe 16 apo 18 vjeç, që të mos kenë më asnjë mundësi që të kenë rrjetet e tyre sociale individuale.
Ne do të fillojmë një konsultim siç bëmë në rastin kur na u desh të kufizojmë Tik-Tokun. Do fillojmë një diskutim me mësuesit, me prindërit në të gjitha shkollat për kufizimin e rrjeteve sociale për të miturit, një gjë që është një trend tanimë i identifikueshëm në një sërë vendesh demokratike.
Tjetra që është shumë e rëndësishme është puna që duhet bërë bashkarisht midis nesh dhe shoqërisë civile të interesuar për këtë pjesë, për të rritur gamën e aktiviteteve të fëmijëve, aktiviteteve sociale të fëmijëve që shtrihen nga sporti tek kultura dhe përmes dhe në mes të cilave janë të gjitha pjesët që kanë të bëjnë me skenën, me pikturën, me zejet, me artin, me filmin, me fotografinë e kështu me radhë.
Zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë është diçka që do të fillojë menjëherë vitin e ardhshëm. Kemi vendosur dhe një buxhet të posaçëm në mënyrë që prindërit të vazhdojnë të punojnë dhe fëmijët jenë në mjediset e shkollës deri në orën 5 pasdite.
Unë nuk e kam menduar, të them të drejtën ndonjëherë që do ta jetoja në të përditshmen time, një Shqipëri ku frika për të folur do të ushqejë nga intimidimi i atyre që protestojnë për ta bërë Shqipërinë më të mirë. Domethënë unë protestoj për ta bërë Shqipërinë më të mirë dhe në qoftë se ti nuk je dakord me mua, unë të intimidoj, të kërcënoj, të futem në shtëpi me telefon dhe të vendos përpara një zgjedhje që është një zgjedhje dramatike. Ose ti të jesh me mua dhe ose në rastin më të mirë të mos vish mësim ose ti të jesh targeti im i dhunës time. Kam dhjetëra mesazhe studentësh që luten që të mbeten anonim se kanë frikë. Kam dhjetëra mesazhe prindërish të studentëve që luten për ndihmë sepse ndjehen të pafuqishëm ndaj fëmijëve të tyre, të intimiduar, të kërcënuar me një gjuhë që është kriminale. Ne presim ndihmë nga të gjithë ju dhe nga të gjithë ata si ju që janë të angazhuar në një front të heshtur, por shumë të dobishëm, pune të përditshme për të adresuar nga kënde të ndryshme cilësinë e jetës, mirërritjen edhe nevojën për ndihmë dhe mbështetje të fëmijëve dhe të familjeve që nuk duhen lënë vetëm përballë këtyre prurjeve shumë djallëzore, që marrin me vete fëmijët e tyre.
Këto ishin reflektimet e mia. Ju falënderoj shumë që jeni këtu të pranishëm dhe shpresoj që jeni dakord që brenda muajit të ardhshëm ne të ri takohemi edhe të flasim pastaj më konkretisht dhe natyrisht në atë rast do jeni ju që do flisni, ne që do dëgjojmë. Gjithsesi, faleminderit edhe le të ri takohemi dhe të flasim konkretisht”, tha Rama mes të tjerash.
Top Channel