“Padi për gjobën e GJKKO me 250 mln lekë”/ Dhoma e Avokatisë merr vendimin përfundimtar: Ndërpritet bojkoti, nga e hëna nisin gjyqet

30/10/2026 15:18

Dhoma e Avokatisë ka vendosur të ndërpresë bojkotin e seancave gjyqësore, ndërsa paralajmëron ndjekjen e çështjes në rrugë ligjore ndaj Gjykatës së Posaçme (GJKKO), për gjobat e vendosura ndaj avokatëve gjatë periudhës së bojkotit.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, i cili deklaroi se Këshilli Kombëtar i Avokatisë ka vendosur pezullimin e bojkotit, pas marrjes në dispozicion të vendimit të Gjykatës së Apelit.

Haxhia bëri të ditur se Dhoma e Avokatisë do të ndjekë rrugën gjyqësore për kundërshtimin e gjobave, të cilat, sipas tij, arrijnë në 250 milionë lekë dhe janë vendosur nga GJKKO gjatë periudhës së bojkotit, që nisi më 8 shtator.

“Duhet ta godasim në rrugë gjyqësore. Sot na u vu në dispozicion vendimi i Gjykatës së Apelit. Në këto kushte, ky organ vendimmarrës i bën prezente të gjithë situatën dhe të kaluarën, të gjitha përpjekjet tona në zgjidhjen e këtij konflikti.

Dhoma e Avokatisë ka qenë që në ditët e para. Kemi qenë dhe jemi që çdo gjë të zgjidhet në përputhje me ligjin. U përdor autoriteti i karriges dhe nuk është fare normale që një vend kaq i vogël të ndiqet me autoritetin e karriges, që është mënyra më e keqe për të transmetuar një komunikim.

Duke qenë përpara këtij realiteti, Këshilli Kombëtar i Avokatisë vendosi: Pezullimin e ndërprerjes, për shkak të vijimit të çështjes së këtij vendimi, të ndërpritet bojkoti, duke iu komunikuar kolegëve për këtë vendim.

Do të bëjmë padi pasi GJKKO ka vendosur 250 milionë lekë gjoba pas bojkotit që nga 8 shtatori deri më sot“, tha kreu i Dhomës së Avokatisë Maks Haxhia.

Top Channel