Ngrin bojkoti në GJKKO, Apeli Administrativ pezullon vendimin e Dhomës së Avokatisë, pranon padinë e Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion
Gjashtë persona janë dënuar nga drejtësia britanike pas një hetimi për një përleshje të dhunshme dhe një incident të rrezikshëm në drejtimin e automjetit në qytetin e Oxfordit.
Sipas Policisë së Thames Valley që i referohet Top Channel, mes të dënuarve janë edhe disa shtetas shqiptarë, ndërsa njëri prej tyre përplasi qëllimisht me makinë një person, duke i thyer këmbën dhe duke i shkaktuar pasoja të vazhdueshme në shëndetin mendor.
Sipas policisë së Thames Valley, ngjarja nisi rreth orës 03:00 të 13 shtatorit të vitit të kaluar, jashtë lokalit “Hank’s Bar”, në Queen Street. Dy persona dhe një grup prej gjashtë të tjerësh u përfshinë në një përleshje, gjatë së cilës një 20-vjeçar pësoi një plagë në fytyrë.
Më vonë, të dyja palët ranë dakord të takoheshin në South Park, rreth orës 21:00, për të diskutuar dhe kërkuar falje për atë që kishte ndodhur. Megjithatë, në takim morën pjesë shumë persona të tjerë dhe disa prej tyre ishin të armatosur.
Rreth orës 22:30, pas largimit nga parku, personat e përfshirë në konflikt u ndeshën sërish në St Clement’s Street. Në këtë moment, 31-vjeçari Romario Qatja, nga Oxfordi, hipi në makinë dhe u drejtua me shpejtësi drejt viktimës dhe shoqëruesve të tij. Njëri prej tyre arriti të shmangej, por një tjetër, rreth të 20-ave, u përplas nga automjeti dhe pësoi thyerje të këmbës.
Sipas hetimeve, Qatja u përpoq ta përplaste sërish me makinë personin e plagosur, por nuk arriti ta godiste, përpara se të largohej nga vendngjarja. Viktima ka pësuar gjithashtu pasoja të vazhdueshme në shëndetin mendor.
Ndërkohë, gjatë së njëjtës mbrëmje, kamerat e sigurisë filmuan dy persona të tjerë, Samyan Khdir dhe Eyub Hussani, duke mbajtur përkatësisht një shpatë dhe një copë druri në Rectory Road.
Pas një gjyqi që zgjati afro një muaj në Gjykatën e Oxford Crown Court, juria i shpalli fajtorë të gjashtë personat për veprat penale për të cilat akuzoheshin.
Romario Qatja u dënua me dy vjet e gjashtë muaj burg për drejtim të rrezikshëm të automjetit dhe përfshirje në përleshje. Atij iu ndalua gjithashtu drejtimi i automjetit për dy vjet e dhjetë muaj dhe do t’i duhet t’i nënshtrohet një testi të zgjeruar për të rifituar të drejtën e drejtimit.
Arger Poleshi u dënua me gjashtë muaj burg, ndërsa Indrit Ndoj mori gjashtë muaj burg me pezullim për një vit e gjysmë, si dhe detyrimin për të kryer 120 orë punë në shërbim të komunitetit.
Armanto Tzourtzi u dënua me gjashtë muaj burg me pezullim për dy vjet dhe u urdhërua të kryejë 120 orë punë të papaguar. Ndërsa Samyan Khdir mori gjashtë muaj burg me pezullim për dy vjet dhe iu vendos një masë mbikëqyrjeje njëvjeçare. Eyub Hussani u dënua me dy vjet urdhër për shërbim në komunitet dhe mbikëqyrje.
Policia e Thames Valley deklaroi se hetimi bëri të mundur që të gjashtë personat të dilnin para drejtësisë për dhunën që la dy persona të plagosur.
“Ne nuk do të tolerojmë kurrë vepra të tilla në Oxford apo në zona të tjera të mbuluara nga Policia e Thames Valley, pasi ato rrezikojnë seriozisht jetën dhe sigurinë e personave të përfshirë dhe të publikut”, deklaroi inspektori i hetimeve James Mather.
Top Channel