Masat fiskale, Erion Braçe paralajmëron tregtarët: Mos përfitoni nga ulja e taksave, çmimet duhet të bien për qytetarët

28/10/2026 19:50

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar lidhur me masat fiskale që pritet të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027, duke theksuar se ulja e TVSH-së për ushqimet në 6% dhe heqja e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës dhe benzinës duhet të reflektohen drejtpërdrejt te konsumatorët.

Në reagimin e tij, Braçe sqaron se ushqimet, si ato të freskëta ashtu edhe ato të fabrikuara, nuk janë tatuar më parë me normën 6% të TVSH-së, ndërsa nga fillimi i vitit të ardhshëm kjo normë do të jetë 14 pikë përqindjeje më e ulët, sipas tij.

Ai i cilëson këto dy masa si ndërhyrje me karakter social, që synojnë të ulin çmimet e ushqimeve dhe kostot e transportit privat, publik e industrial, duke ndikuar në uljen e kostos së jetesës.

Megjithatë, deputeti socialist thekson se sfida kryesore është garantimi i efektivitetit të masave dhe kalimi i plotë i përfitimit fiskal te qytetarët, përmes çmimeve më të ulëta.

Sipas Braçes, dy muajt e mbetur deri në hyrjen në fuqi të masave duhet të shërbejnë për hartimin dhe miratimin e instrumenteve që do të garantojnë se ulja e taksave nuk do të përkthehet në përfitime shtesë për tregtarët.

Ai ngre shqetësimin për përqendrimin në treg dhe interesin e operatorëve ekonomikë për të përfituar nga ndryshimet fiskale, duke kërkuar mekanizma që do të sigurojnë që përfituesi i vetëm të jetë konsumatori.

“Këto nuk janë masa ku përfitimi duhet ndarë mes qytetarëve dhe tregtarëve, por masa ku i vetmi përfitues duhet të jetë qytetari, që duhet të blejë më lirë fiks sa parashikojnë këto dy masa”, thekson Braçe në reagimin e tij.

Në përfundim, deputeti socialist kërkon që institucionet përgjegjëse të marrin masa konkrete për të garantuar uljen reale të çmimeve pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve fiskale, duke nënvizuar se nuk duhet të ketë tolerim për mosreflektimin e tyre te konsumatorët.

Top Channel