Tragjedia hekurudhore në Spanjë, gabimi njerëzor dyshohet si shkaku kryesor i përplasjes me 68 viktima
Tre vëllezërit Alexander, dy prej të cilëve manjatë të pasurive të paluajtshme, janë dënuar me nga 30 vite burg secili për përfshirjen në një skemë abuzimi seksual, gjatë së cilës droguan dhe përdhunuan dhjetëra gra përgjatë disa dekadave.
Tal Alexander, 40 vjeç, dhe binjakët Oren e Alon Alexander, 39 vjeç, u shpallën fajtorë në muajin mars, pasi akuzoheshin se përdornin pasurinë dhe statusin e tyre shoqëror për të joshur gra në festa dhe banesa luksoze, ku më pas i sulmonin seksualisht.
“Veprimet tuaja ishin monstruoze. Krimet tuaja shkatërruan jetët e viktimave”, deklaroi gjyqtarja Valerie Caproni përpara se të shpallte vendimin në gjykatën federale në Nju Jork.
Gjatë seancës së së martës, 12 viktima dëshmuan përpara gjykatës, mes tyre edhe një grua që nuk kishte dëshmuar gjatë procesit gjyqësor. Ato rrëfyen traumën psikologjike të përjetuar pas abuzimeve dhe kërkuan që turpi që kishin mbajtur për vite me radhë të binte mbi autorët e krimeve. Shumë prej tyre kërkuan dënimin maksimal, burgim të përjetshëm për secilin nga vëllezërit.
Maya Miller tregoi se, pasi u përdhunua nga Tal Alexander në vitin 2014, humbi çdo ndjenjë sigurie.
“Brenda vetes mbaj një funeral të heshtur për personin që mund të isha bërë nëse kjo nuk do të më kishte ndodhur kurrë”, deklaroi ajo në gjykatë.
Një tjetër viktimë, e identifikuar me pseudonimin Isa Brooks, tha se pasi u përdhunua nga Tal dhe Alon Alexander kur ishte vetëm 16 vjeçe, humbi aftësinë për t’i besuar vetes.
“Nuk e kisha idenë se në çfarë rreziku ndodhesha, derisa ishte tepër vonë”, u shpreh ajo.
Një grua tjetër deklaroi se, kur kishte planifikuar të denonconte përdhunimin, Tal Alexander e kishte kërcënuar duke i thënë se e dinte se ku punonte motra e saj.
Prokurorja Elizabeth Espinosa kërkoi dënimin maksimal për tre vëllezërit, duke theksuar se provat paraqisnin një tablo shkatërruese të abuzimeve të kryera ndër vite.
“Për vite me radhë, ata përsosën mënyrat për të joshur gratë me premtimin e luksit”, deklaroi ajo, duke shtuar se vëllezërit nuk treguan asnjë shqetësim për vuajtjet që u shkaktuan viktimave.
Gjatë dëshmive të grave, tre vëllezërit shfaqën pak emocione, duke qëndruar me vështrimin përpara ose duke biseduar me avokatët e tyre. Mbrojtja tha se u kishte këshilluar klientëve të mos i shikonin viktimat, për të shmangur keqinterpretimet e sjelljes së tyre.
Avokatët kërkuan dënime prej 15 vitesh burg, duke argumentuar se klientët e tyre ishin bërë baballarë të përkushtuar dhe se mungesa e tyre do të dëmtonte familjet. Megjithatë, të tre vëllezërit vazhduan të pretendonin pafajësinë edhe gjatë fjalës së tyre në gjykatë.
Tal Alexander pranoi se kishte pasur një mentalitet që e përshkroi si “puno shumë, argëtohu shumë”, duke shtuar se tashmë e kuptonte se sjellja e tij kishte “lënduar ndjenjat e njerëzve”.
Por këto deklarata nuk e bindën gjyqtaren Caproni, e cila i kritikoi për refuzimin për të pranuar krimet e tyre.
“Si mund të rehabilitohet dikush që nuk i ka pranuar kurrë gabimet që ka bërë?”, pyeti ajo.
Në përfundim të seancës, gjykata i dënoi secilin me 30 vite burg për disa nga veprat penale dhe me 20 vite të tjera për vepra shtesë. Megjithatë, dënimet do të vuajnë njëkohësisht, çka do të thotë se dënimi efektiv i secilit mbetet 30 vite burg.

Si funksiononte skema e abuzimit?
Gjatë procesit gjyqësor 5 javor, 11 gra dëshmuan se vëllezërit u ofronin dhurata dhe udhëtime drejt destinacioneve luksoze, përfshirë Aspen dhe Bahamas.
Sipas dëshmive dhe akuzave të prokurorisë, në këto udhëtime viktimave u jepeshin droga përpara se të sulmoheshin seksualisht. Disa prej grave deklaruan se ishin të mitura në kohën e abuzimeve.
Prokurorët thanë se sjellja abuzive e vëllezërve kishte nisur që në shkollën e mesme, ndërsa veprat penale të shqyrtuara në këtë proces datonin nga viti 2008.
Sipas prokurorisë, ata u hidhnin substanca në pijet e grave, i mbanin fizikisht të kufizuara gjatë përdhunimeve dhe injoronin britmat dhe kërkesat e qarta për të ndaluar.
Në anën tjetër, avokatët mbrojtës argumentuan se marrëdhëniet seksuale kishin qenë konsensuale dhe se klientët e tyre ishin thjesht burra që kishin shumë partnere, por jo abuzues.
Nga pasuritë e paluajtshme luksoze te burgu
Tal dhe Oren Alexander u bënë të njohur në tregun e pasurive të paluajtshme luksoze në Nju Jork dhe Majami. Ata punuan për kompaninë e madhe amerikane Douglas Elliman, me klientë që përfshinin emra të njohur si Lindsay Lohan, Kim Kardashian dhe Kanye West.
Në vitin 2022, dy vëllezërit themeluan kompaninë e tyre me bazë në Nju Jork, të quajtur Official. Ndërsa Alon punonte në kompaninë private të sigurisë së familjes, Kent Security.
Tashmë, tre vëllezërit do të vuajnë nga 30 vite burg secili, pas një procesi gjyqësor ku dëshmitë e viktimave zbuluan përmasat e abuzimeve dhe pasojat e rënda që ato patën në jetën e tyre.
Top Channel