Paketa Fiskale 2027, rritet barra për bizneset/ Eksperti Gjokutaj: Mungon analiza se kush përfiton dhe kush paguan, ulet TVSH-ja për ushqimet, por rritet diku tjetër Nga Redi Gjuzi
Qartësisht paketa e re fiskale e qeverisë është një shprehje paniku, një dëshirë për t’u përballur me pakënaqësinë në bulevard. Do të mjaftonte vetëm relacioni i ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, për të treguar kaosin se si po menaxhohen financat e shtetit.
Qeveria parashikon të ulë TVSH-në për ushqimet në 6 për qind, nga 20 për qind që është sot. Qeveria, në këtë pikë, beson se ulja e TVSH-së do të sjellë edhe uljen e çmimeve për konsumatorët. Dhe kështu shkruan në relacion: “Aplikimi i një shkalle të reduktuar të TVSH-së prej 6% për produktet ushqimore synon të ulë barrën tatimore mbi këtë kategori konsumi dhe të kontribuojë në përmirësimin e fuqisë blerëse të konsumatorëve, veçanërisht të familjeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme.”. Për qeverinë, një taksë e ulët sjell një ulje të çmimit dhe përfitim të qytetarit.
Por në të njëjtin ligj, e njëjta qeveri parashikon të rrisë TVSH-në në turizëm. Politika fiskale për turizmin, e nisur në vitin 2017, tashmë do të rishikohet. Qeveria do të rrisë nga 6 për qind në 10 për qind TVSH-në në turizëm. Dhe e bën këtë për një arsye të kundërt me atë që përdor për uljen e TVSH-së së ushqimeve. Ja çfarë shkruan në relacion qeveria kur rrit TVSH-në në turizëm: “Po kështu, referuar misionit më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, është rekomanduar rishikimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së prej 6% për shërbimet e akomodimit. Sipas analizës së kryer nga FMN, ka rezultuar se përfitimi fiskal mund të jetë përthithur kryesisht nga operatorët ekonomikë, në formën e të ardhurave shtesë, pa krijuar domosdoshmërisht një nxitje të re për turistët.”.
Pra, kur ul TVSH-në e ushqimeve, sipas qeverisë, tregtarët do të ulin çmimet për qytetarët, ndërkohë që po vetë qeveria ka një eksperiencë prej gati 8 vitesh, ku ulja e TVSH-së nuk është përkthyer në ulje çmimesh për konsumatorët.
Do të mjaftonte vetëm ky konkluzion i relacionit për të treguar se e gjithë logjika e paketës fiskale nuk është mbrojtja e konsumatorit. Ajo e ka të provuar dhe e shkruan e zeza mbi të bardhë se, nën qeverisjen e saj, ulja e taksave nuk përkthehet në ulje çmimesh.
Në këtë logjikë, e gjithë përpjekja e qeverisë në aplikimin e gati 120 milionë euro taksa shtesë është një mbrojtje fiskale ndaj urdhrit për t’u përballur me protestën me taksa. Rritja e TVSH-së së përgjithshme nga 20% në 21 për qind (ngjan fort me masat e rënda fiskale të propozuara gjatë krizës greke), rritja e Tatim Fitimit në 17 për qind, dyfishimi i dividendit apo shtrëngimet e tjera administrative do të pasqyrohen në faturat e reja të blerjeve. Në fund, qytetarët nuk do të përfitojnë nga çmimet e ulura të ushqimeve, por do të paguajnë më shumë për të gjitha produktet e tjera.
I gjithë ky ndryshim fiskal, nëse miratohet kështu, nuk ka lidhje me qytetarin. Ata do të paguajnë më shumë për taksat që mbledh qeveria dhe për fitimet e biznesmenëve të favorizuar. Ka dhe një përfitues tjetër të përhershëm nga rritja e taksave. Ata janë tatimorët. Sa më e madhe taksa, aq më e madhe përpjekja për evazion e korrupsion. Dhe tatimorët e kanë treguar që nuk i qëndrojnë fort joshjes së korrupsionit.
Ndaj paketa e re fiskale 2027 është e trullosur. Duket se tymi i gazit lotsjellës ndaj protestuesve ka shpuar edhe murin e zyrës së madhe ku mblidhet qeveria.
Top Channel