Pjesëmarrja në zgjedhjet izraelite arrin nivele rekord, ndërsa Netanyahu lufton për të qëndruar në pushtet

27/10/2026 16:56

Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në Izrael ka arritur nivele rekord, në një proces zgjedhor që konsiderohet vendimtar për të ardhmen politike të vendit.

Kryeministri Benjamin Netanyahu përballet me një garë të ngushtë me ish-shefin e ushtrisë, Gadi Eisenkot, ndërsa asnjëri prej dy blloqeve politike nuk pritet të sigurojë lehtësisht shumicën prej 61 mandatesh të nevojshme për formimin e qeverisë.

Sipas sondazheve të publikuara të premten, gara mes dy figurave kryesore është tepër e ngushtë. Rezultati mund të çojë në javë ose muaj negociatash politike, për shkak të sistemit proporcional zgjedhor të Izraelit, ku qeveritë zakonisht formohen përmes koalicioneve mes disa partive.

Fushata zgjedhore është dominuar nga çështjet e sigurisë kombëtare dhe demokracisë. Opozita ka kritikuar Netanyahun për dështimet e sigurisë që paraprinë sulmet e 7 tetorit 2023, të udhëhequra nga Hamasi, gjatë të cilave rreth 1 200 persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng dhe u dërguan në Rripin e Gazës.

Partitë opozitare kërkojnë krijimin e një komisioni të pavarur hetimor për të shqyrtuar ngjarjet, një nismë të cilës Netanyahu i ka kundërshtuar prej kohësh, duke pretenduar se një hetim i tillë do të ishte i njëanshëm ndaj tij.

Kryeministri përballet gjithashtu me një proces gjyqësor për akuza korrupsioni, të cilat ai i mohon. Planet e tij për reforma në sistemin gjyqësor kanë shkaktuar më parë protesta masive në vend.

Netanyahu, nga ana e tij, e ka vendosur sigurinë në qendër të mesazhit të tij elektoral, duke theksuar atë që ai i konsideron suksese strategjike në konfliktet e Izraelit në Lindjen e Mesme dhe marrëdhëniet e ngushta me presidentin amerikan Donald Trump.

Gadi Eisenkot, drejtues i partisë së re Yashar, është figura kryesore e të ashtuquajturit “blloku i ndryshimit”, ku bëjnë pjesë parti me bindje të ndryshme politike, por që bashkohen në synimin për t’i dhënë fund qeverisjes së Netanyahut. Në këtë grup përfshihen edhe ish-kryeministri Naftali Bennett, Avigdor Lieberman dhe Yair Golan.

Për të qëndruar në pushtet, Netanyahu ka nevojë të ruajë aleancën me partitë e së djathtës ekstreme dhe partitë ultraortodokse hebraike, të cilat përbëjnë koalicionin e tij aktual qeverisës.

Një tjetër çështje e debatueshme është shërbimi ushtarak. Qeveria është kritikuar për moszbatimin e një vendimi të Gjykatës së Lartë lidhur me rekrutimin e burrave ultraortodoksë hebrenj që studiojnë me kohë të plotë në institucionet fetare.

Eisenkot mban një qëndrim përgjithësisht të ngjashëm me Netanyahun për Gazën. Ai ka premtuar t’i japë fund sundimit të Hamasit në territor brenda 18 muajve, përmes një plani paqeje të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ose, nëse është e nevojshme, përmes ndërhyrjes ushtarake.

Sulmet izraelite në Gaza kanë vazhduar pothuajse çdo ditë edhe pas arritjes së armëpushimit vitin e kaluar. Izraeli deklaron se shënjestron operativët e Hamasit, ndërsa Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, raporton se më shumë se 74 000 persona janë vrarë që nga fillimi i luftës. Shifrat e saj konsiderohen të besueshme nga Kombet e Bashkuara.

Izraeli është përballur me kritika gjithnjë e më të mëdha ndërkombëtare për zhvillimin e luftës, ndërsa marrëdhëniet me disa prej aleatëve të tij janë përkeqësuar.

Sa i përket Bregut Perëndimor të pushtuar, Eisenkot mbështet në përgjithësi vendbanimet izraelite, të cilat konsiderohen të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, ai kërkon masa kundër kolonëve ekstremistë që kryejnë sulme ndaj palestinezëve.

Disa parti kryesore kanë ngritur pretendime për parregullsi në qendrat e votimit. Megjithatë, Komisioni Qendror Zgjedhor i Izraelit deklaron se nuk ka prova për manipulim sistematik të fletëve të votimit.

Sipas raportimeve, rreth 70 000 persona janë kthyer nga jashtë vendit për të votuar, ndërsa qindra mijëra qytetarë pritet të votojnë për herë të parë.

Sondazhet pas mbylljes së qendrave të votimit pritet të japin një tregues paraprak të rezultatit, por ato mund të ndryshojnë ndjeshëm nga rezultatet përfundimtare. Votat e ushtarëve dhe rezervistëve mund të ndikojnë gjithashtu në rezultatin përfundimtar, pasi numërimi i një pjese të tyre mund të nisë më vonë.

Një nga skenarët më të ndërlikuar është bllokimi politik, në rast se asnjë bllok nuk arrin shumicën dhe nuk krijohet një qeveri alternative. Në këtë rast, Izraeli mund të detyrohet të zhvillojë zgjedhje të reja, ndërsa Netanyahu do të qëndronte në detyrë si kryeministër i përkohshëm.

Izraeli ka përjetuar pesë palë zgjedhje mes viteve 2019 dhe 2022, për shkak të vështirësive të vazhdueshme të partive për të formuar koalicione të qëndrueshme.

Rezultati i këtij procesi do të përcaktojë jo vetëm përbërjen e qeverisë së ardhshme, por edhe drejtimin e politikave izraelite për sigurinë, marrëdhëniet rajonale dhe çështjen palestineze.

Top Channel