Pas arritjes së armëpushimit në qytetin ukrainas, banorët tregojnë momentet e vështira: Hëngrëm bar për të mbijetuar

27/10/2026 17:49

Një armëpushim i përkohshëm ka hyrë në fuqi në qytetin e Oleshky, në Harkiv të Ukrainës, rajon ky që ndodhet nën pushtimin rus.

Marrëveshja synon të mundësojë dërgimin e ndihmave humanitare dhe evakuimin e civilëve, të cilët prej kohësh përballen me mungesë ushqimi, uji dhe energjie elektrike.

Sipas autoriteteve ukrainase dhe Ministrisë ruse të Mbrojtjes, armëpushimi po respektohet. Operacioni humanitar pritet të përfshijë dërgimin e furnizimeve jetike dhe pastrimin e rrugëve nga minat, për të krijuar kushte më të sigurta për largimin e banorëve.

Situata në Oleshky është përkeqësuar ndjeshëm. Për shkak të mungesës së ushqimit, një pjesë e banorëve ishin detyruar të gatuanin barishte  për të mbijetuar. Prej tre vitesh, qyteti nuk kishte energji elektrike, gaz apo ujë , ndërsa dyqanet janë të mbyllura dhe mundësitë për të siguruar furnizime janë tepër të kufizuara.

Sipas vlerësimeve të Kievit, në Oleshky dhe zonat përreth kanë mbetur deri në 6 mijë persona, mes tyre rreth 200 fëmijë. Përpara pushtimit të Rusisë shkurtin e vitit 2022, Oleshky kishte rreth 24 mijë banorë.

Ndërkohë, edhe largimi nga zona është i rrezikshëm, sepse rrugët janë të minuara dhe të ekspozuara ndaj sulmeve me dronë.

Armëpushimi, për të cilin Shtëpia e Bardhë tha se ishte siguruar nga zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump, pritet të zgjasë deri në 1 nëntor, ndërsa operacioni po koordinohet nga përfaqësues të Ukrainës dhe Rusisë për të drejtat e njeriut, me ndërmjetësimin amerikan.

Top Channel