Putin pret liderët e Iranit dhe Katarit nesër në Moskë, takimet pas Forumit të Vendeve Eksportuese të Gazit
Për protestat dhe trazirat në Itali, në qendër të vëmendjes janë vënë komunikimet në “Telegram”.
Sipas raportimit të emisionit investigativ italian “Fuori dal Coro”, Youssef Siher, 30 vjeç, i ndaluar nga autoritetet dhe i dyshuar si një nga organizatorët kryesorë të Lëvizjes “17 Tetori”, dyshohet se përdorte një kanal në “Telegram” për të shpërndarë udhëzime operative përpara protestave.
Në fokus të hetimeve është një dokument PDF me titull “Revolucioni: udhëzime për përdorim”, ku, sipas transmetimit, përfshiheshin udhëzime për të ashtuquajturën mosbindje civile, me frymëzim edhe nga revolucioni egjiptian i vitit 2011 në sheshin Tahrir të Kajros.
Dokumenti përmbante gjithashtu sugjerime për veshjet dhe aksesorët që duhej të merrnin me vete pjesëmarrësit në protesta, mes tyre kefije, bluza me kapuç dhe doreza kuzhine. Këto të fundit përmendeshin si mjete mbrojtëse ndaj nxehtësisë së shkaktuar nga bombolat me gaz lotsjellës.
Sipas të njëjtit raportim, kanali në “Telegram” shërbente edhe për rekrutimin e personave me aftësi të ndryshme, nga grafikët për përgatitjen e posterave, tek operatorët e fotografisë dhe videos, si dhe personat përgjegjës për ndihmën e parë, sloganet dhe megafonët.
Me afrimin e protestave, bisedat në grup dyshohet se morën një ton gjithnjë e më agresiv, me fyerje dhe kërcënime ndaj forcave të rendit.
Sipas materialeve të publikuara nga emisioni, një përdorues shkruante se duhej “mbjellë kaos” dhe se duhej të ndodhte një episod që do të mbetej në kujtesë. Një tjetër përdorues shprehej se dhuna do të bëhej e pashmangshme.
Në biseda, sipas raportimit, shfaqeshin gjithashtu pyetje lidhur me personat që mund të siguronin bomba tymuese, bomba artizanale dhe mjete të tjera shpërthyese rudimentare.
Materialet e publikuara ngrenë pikëpyetje mbi organizimin e protestave dhe rolin e mundshëm të personave të përfshirë në komunikimet online. Megjithatë, përgjegjësitë konkrete dhe akuzat ndaj personave të dyshuar duhet të përcaktohen nga organet kompetente, duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë.

Top Channel