Belgjika shtyn ndalimin e duhanit në ambiente të hapura, Franca dhe Spanja ashpërsojnë kufizimet
Pesëmbëdhjetë të rinj kanadezë kanë nisur një betejë ligjore kundër qeverisë federale, duke pretenduar se politikat e pamjaftueshme për luftën ndaj ndryshimeve klimatike cenojnë të drejtat e tyre kushtetuese.
Procesi gjyqësor, që nis më 26 tetor 2026 në Vankuver, konsiderohet një çështje me rëndësi të veçantë, pasi për herë të parë një gjykatë federale kanadeze do të shqyrtojë në një gjykim të plotë një padi të këtij lloji të ngritur nga të rinjtë.
Padia është depozituar fillimisht në vitin 2019 dhe mbështetet në argumentin se veprimet dhe politikat e qeverive të njëpasnjëshme kanadeze nuk kanë qenë të mjaftueshme për të frenuar ndryshimet klimatike. Të rinjtë pretendojnë se kjo situatë cenon të drejtën për jetën, lirinë dhe sigurinë personale, të garantuara nga Karta Kanadeze e të Drejtave dhe Lirive.
Paditësit i kërkojnë gjykatës të njohë shkeljen e të drejtave të tyre kushtetuese dhe të detyrojë qeverinë të hartojë e të zbatojë një plan për rimëkëmbjen klimatike, të bazuar në të dhënat shkencore. Synimi është reduktimi i emetimeve të gazeve serrë dhe përshpejtimi i masave për përballimin e krizës klimatike.
Të rinjtë vijnë nga pjesë të ndryshme të Kanadasë dhe argumentojnë se pasojat e ndryshimeve klimatike janë tashmë të dukshme në jetën e tyre, përmes zjarreve masive, përmbytjeve, temperaturave ekstreme dhe përkeqësimit të cilësisë së ajrit.
Një prej tyre, Sadie Vipond, 19 vjeçe, deklaroi se më në fund do të ketë mundësinë të dëshmojë përpara gjykatës dhe të bëjë të dëgjohet zëri i saj. “E ardhmja jonë dhe të drejtat tona ia vlejnë të luftojmë”, u shpreh ajo, duke nënvizuar rëndësinë e këtij procesi për brezat e rinj.
Gjykimi pritet të zgjasë disa javë, ndërsa në proces do të dëshmojnë paditësit dhe ekspertë të fushave të ndryshme, përfshirë shkencën e klimës, shëndetin publik dhe ekonominë e energjisë. Qeveria kanadeze pritet të paraqesë argumentet e saj përballë pretendimeve të të rinjve.
Çështja shihet si pjesë e një tendence ndërkombëtare, ku të rinjtë dhe organizatat mjedisore po i drejtohen gjykatave për të kërkuar përgjegjësi më të madhe nga qeveritë në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Vendimi mund të ketë rëndësi për mënyrën se si trajtohen në të ardhmen detyrimet e shteteve për mbrojtjen e klimës dhe të drejtave të brezave të ardhshëm.
Top Channel