Pas pothuajse 1 viti emigrim dhe 6 tentativave për tu futur në Venezuelë, rikthehet Maria Machado, cili do jetë hapi i radhës i lideres së opozitës?
Udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen, kryesuese e zgjedhjeve presidenciale franceze të vitit të ardhshëm, nisi zyrtarisht fushatën, duke premtuar të rivendosë rendin dhe besimin kombëtar.
Ndërsa Franca përballet me një nga periudhat më të trazuara në vite, Le Pen është shfaqur si e vetmja e aftë të përballojë serinë e krizave ekonomike, sociale dhe të sigurisë.
“Ne nuk po jetojmë në fundin e botës, por në fundin e një bote, botës së tyre”, tha ajo për rivalët e saj politikë.
Le Pen zgjodhi të mbante fjalimin e saj të parë të fushatës në Orleans, vendlindjen e Zhan D’Ark, të cilën nacionalistët e nderojnë si simbol të patriotizmit dhe sovranitetit kombëtar. Duke iu drejtuar turmës së mbështetësve të saj, ajo premtoi “tolerancë zero” dhe theksoi se rivendosja e sigurisë është detyra kryesore e shtetit.
Protestat masive mbi koston e jetesës dhe pabarazinë fundjavën e kaluar çuan në trazira, plaçkitje dhe vandalizëm. Trazirat duket se i kanë dhënë shtysë Le Pen, dhe një sondazh i publikuar sot e vendos atë në 32-33.5%, pothuajse dyfishi i kandidatit të majtë Jean-Luc Mélenchon, i cili është në 17%, pasi votuesit duket se po braktisin partitë tradicionale dhe po shkojnë drejt ekstremeve.
Sondazhet gjithashtu tregojnë se Le Pen do ta mundte lehtësisht Mélenchon në raundin e dytë të zgjedhjeve, të planifikuar për në fillim të majit.
Le Pen tha se nëse fiton zgjedhjet, do të formonte një qeveri “uniteti kombëtar” dhe “pluralizmi” të udhëhequr nga Jordan Bardella, presidenti i RN.
Le Pen tha gjithashtu se dëshiron ta bëjë Francën “një komb paqeje” dhe se nuk do t’i dërgonte kurrë të rinjtë “të vdisnin në luftëra që nuk janë tonat”. Kandidatja e ekstremit të djathtë zbuloi gjithashtu se qëllimi i saj është të përfshijë në Kushtetutë “parimin themelor, gjithëpërfshirës dhe vëllazëror” të “bashkësisë kombëtare”.
“Shteti që duam nuk do të jetë ai i RN-së, por do të jetë një projekt kolektiv, një projekt që është sigurisht patriotik, por jo partiak”, siguroi ajo, duke nënvizuar se vullneti i saj është “të njohë një dhe vetëm një popull” përmes “mohimit absolut të komunitarizmit”.
“Për ne, ekziston vetëm një komunitet, komuniteti kombëtar”, këmbënguli ajo.
Le Pen e përqendroi fjalimin e saj rreth temës së “Rilindjes” kombëtare, duke pohuar se Franca do të forcohej duke përqafuar vizionin e saj të sigurisë dhe prosperitetit.
“Ne themi: gjërat ishin mirë më parë, do të jenë më mirë nesër”, tha ajo.
Ajo ka premtuar të mbajë një qëndrim të ashpër ndaj imigracionit, duke u zotuar të rivendosë kontrollet kufitare, të dëbojë automatikisht kriminelët e huaj dhe të godasë bandat dhe trafikantët e drogës. Por asaj mund t’i duhet të bëjë fushatë duke mbajtur një “byzylyk” elektronik pasi u dënua për përvetësim të fondeve të Parlamentit Evropian. Ajo e ka apeluar vendimin e gjykatës.
Për ekonominë, ajo ka premtuar përmbajtje fiskale, taksa më të ulëta për bizneset, më pak burokraci dhe mbështetje për industrinë, inovacionin dhe inteligjencën artificiale, ndërsa ka hedhur poshtë rritjet e mëtejshme të moshës së daljes në pension.
Lidhur me Evropën, Le Pen nuk e mbështeti daljen e Francës nga BE-ja, por tha se do të kufizonte ndikimin e Brukselit, do të rivendoste kontrollin kombëtar mbi kufijtë dhe ligjet dhe do t’i jepte përparësi interesave franceze.
Kongresi ishte hartuar për të shfaqur unitetin në krye të partisë, me Jordan Bardellën e rizgjedhur si president i saj.
Megjithatë, fjalimi i Bardellës u ndërpre nga aktivistë të një sindikate studentore hebraike, të cilët e akuzojnë atë për komente antisemite që dyshohet se ka bërë në rininë e tij.
Top Channel