Robinho Jr ‘djeg etapat’/ Nga golat në ekipet zinxhirë te debutimi në Serie A, në gjurmët e të atit(tani në burg)

18/10/2026 15:05

Një dygolësh ndaj Atalantës në ndeshjen e parë si titullar, një gol ndaj Juventusit ndeshjen e kaluar me ekipin Primavera të Genoas dhe më pas erdhi debutimi në Serie A në Olimpico ndaj Romës.

Këto ditë kanë qenë të paharrueshme për Robson Junior Guglielmetti de Souza, i njohur ndryshe si Robinho Jr, djalin e ish sulmuesit brazilian që ka veshur fanellat e Realit të Madridit e Milanit dhe që po kryen një dënim me 9 vjet burg me akuzën e përdhunimit në grup të një vajze në Milano në 2013.

Robinho Jr u transferua te Genoa nga Santosi në merkaton e kësaj vere me huazim me opsion blerjen për 8 milionë euro. Fillimisht ai u bashkua me skuadrën Primavera të Genoas dhe menjëherë spikati duke bindur Daniele De Rossin që e grumbulloi në skuadrën e parë dhe e aktivizoi si titullar në miqësoren me Rapidin e Bukureshtit gjatë pauzës për ndeshjet e kombëtareve dhe më pas e aktivizoi në ndeshjen me Romën në minutën e 38 në vend të Messias.

‘Më la një përshtypje shumë të mirë. Nuk e njihja, bëhet fjalë për një operacion për të ardhmen, por është shumë interesant-tha De Rossi-bën gjëra të dobishme, inteligjente, duhet të formohet fizikisht, por di që të qëndrojë në fushë’.

Personaliteti nuk i mungon. Në muajin maj, ishte protagonist i një zënke në fushë në stërvitje me Neymar, shokun e tij të skuadrës te Santos dhe idhulli i tij i fëmijërisë për shkak të një driblimi. Dhe kushedi, ndoshta në të ardhmen Robinho Jr, mund të veshë fanellën e kombëtares italiane falë dynënshtetësisë së nënës së tij, Vivian dhe në momentin që u transferua në Liguria ai është regjistruar si futbollist italian.

Top Channel