Sergio Conceiçao kthehet në Itali. Ish trajneri i Milanit do të jetë i pranishëm në stadium për të ndjekur ndeshjen mes Juventusit dhe Lazios por ai kthehet të flasë sërish për eksperiencën e tij me kuqezinjtë.

‘Për fat të keq, çdo trajner ka nevojë për një lloj strukture në mbështetje të tij, përndryshe bëhet e vështirë të kesh kredibilitet te futbollistët-tha Sergio Conceiçao-le të themi se te Milani nuk ishin kushtet ideale. Nuk pendohem për ata 6 muaj, fitorja e Superkupës dhe arritja në finalen e Kupës duke mundur Romën e Interin ishte fantastike. Madje më djeg ende që e humba atë finale ndaj Bolognas’

Sergio Conceiçao foli për të përditshmen italiane ‘La Gazzetta Dello Sport’ duke thumbuar pak klubin milanez

‘Kur isha unë, Cardinale nuk erdhi kurrë në Milanelli-tha Sergio Conceiçao-mendo që më dërgoi një mesazh për të më uruar për Superkupën, por unë nuk iu përgjigja pasi as nuk e kisha numrin e tij, e lexova vetëm pak kohë më pas. Amorim? E njoh mirë, kemi përjetuar sfida të ndezura në Portugali, unë si trajner i Portos dhe ai i Sportingut. Uroj që të bëjë mirë në Milano’.

Top Channel