“Nuk e dini ju si ka qenë para 10 vitesh”/ Këshilltari i Bashkisë përplaset me studentin në Top Story: A na keni pyetur ndonjëherë se sa…

16/10/2026 22:00

Debati për protestën e studentëve është zhvendosur edhe në studion e emisionit “Top Story”, ku këshilltari i Bashkisë Tiranë, Alfred Muharremaj, është përplasur me studentin Rei lidhur me kërkesat e të rinjve, kushtet e jetesës dhe situatën e krijuar në vend.

Muharremaj argumentoi se realiteti i studentëve sot është ndryshe nga ai i 10 viteve më parë, ndërsa studenti e sfidoi me pyetje për kostot e jetesës në Tiranë, masën e bursave dhe vonesat në shpërndarjen e tyre.

Debati-

Muharremaj: 135 ditë kanë qenë paqësore. Nuk ka pasur asnjë incident të vetëm ndaj organeve të policisë. Policia është një faktor i ruajtjes së sigurisë. Për mendimin tim këta janë njerëzit që po e bëjnë pis protestën e studentëve. Para 10 vitesh, unë kam kaluar të njëjtën situatë. Përpara se studentët kanë të drejtë të bëjnë kërkesa politike dhe jo minorenët e gjimnazistët, sepse ata janë të manipulueshëm. Nëse ne do të vazhdojmë ta përfaqësojmë këtë situatë, do të shkojmë në një destabilitet dhe ajo ëndërr europiane do të jetë e parealizueshme. Përpara një dekade isha student si ju dhe nëse ju nuk e keni kapur kohën, pyesni një të afërmin tuaj se si ka qenë jeta e një studenti përpara 10 vitesh. Vija nga komuniteti i jetimëve dhe flija gjumë në klasë, në gjimnaz e universitet. Një sistem që ishte vetëm korrupsion. Çdo derë mbyllej. Jo vetëm për mua, por për të gjithë. Sot është një realitet krejt tjetër për studentët. Për herë të parë, në administratën publike janë 45% ata që kanë mbyllur praktikën nga kjo qeveri socialiste. Jam bërë shumë militant, ose shumë patronazhist siç e thoni ju. Këto akte vandale nuk janë për Edi Ramën, nuk janë për PS, janë kundër Shqipërisë.

Rei: I ke pyetur ndonjëherë studentët sa janë kostot e jetesës në Tiranë? E justifikoni ju atë varfërinë që thatë? I keni pyetur ndonjëherë se sa është bursa e studentëve? I keni pyetur ndonjëherë kur hidhen bursat?

Muharremaj: Deri dje studentët luftonin për mbijetesë.

Rei: Pse, sot po luftojmë për luks?

Muharremaj: Sot po luftoni për një standard jetësor dhe keni të drejtë. Nuk po e thotë njeri që studentët nuk kanë kushte. Nëse bëjmë zi çdo gjë në këtë vend, atëherë duhet të bëjmë dhe disa fakte.

Top Channel