Bodo/Glimt është kriptoniti i klubeve të mëdha evropiane kur i luan ndeshjet e saj në shtëpi. Aspmyra Stadion është një fortesë e vërtetë për skuadrën norvegjeze e cila që nga 2020 e deri më sot, në 48 ndeshje të zhvilluara në kompeticionet evropiane, ka regjistruar një bilanc me 37 fitore 2 barazime dhe 9 humbje.

Skuadra e fundit që i shtohet listës së atyre që janë gjunjëzuar në tokën norvegjeze është Borussia Dortmund që në mbrëmjen e së mërkurës u mund nga Bodo/Glimt me rezultatin 1-0.

Për të parë humbjen e fundit të kësaj skuadre në shtëpi në një natë evropiane duhet të kthehemi në nëntorin e vitit 2025. Në atë kohë ishte Juventusi i Luciano Spallettit që mori maksimumin në Aspmyra, një fitore që erdhi mes drithërimash me Jonathan David që në minutën e 91 shënoi golin e suksesit 3-2 të bardhezinjve.

Që nga ai moment Bodo/Glimt ka regjistruar një seri impresionuese rezultatesh pozitive, me 6 fitore në shtëpi që i garantuan pathyeshmërinë në këtë vit kalendarik; 3-1 ndaj Manchester City dhe Interit, 3-0 ndaj Sporting Lisbonë dhe në këtë edicion 3-2 ndaj Union Saint Gilloise e 3-0 me Nijmengen e deri të triumfi ndaj Borussia Dortmund në mbrëmjen e së mërkurës.`

Shifra të jashtëzakonshme këto për një skuadër që përfaqëson një qytezë me 50 mijë banorë që është 200 km mbi Rrethin Polar Arktik. Një karakteristikë që në të vërtetë përfaqëson pikën e fortë të norvegjezëve është i ftohti intensiv dhe kushtet meteorologjike ekstreme e bëjnë të vështirë përshtatjen e atyrë që vijnë nga zona të Evropës me klimë më të butë. Kësaj i shtohet një tjetër detaj teknik që nuk është për t’u nënvlerësuar; fusha e lojës në Aspmyra është me bar sintetik, një sipërfaqe me të cilën shumë skuadra mike nuk janë mësuar dhe e bën lojën dhe pasimet shumë më të shpejta.

Brenda vitit 2027 klubi do të spostohet në impiantin e ri Arctic Arena, një stadium modern që aktualisht është në ndërtim dhe që është projektuar për të ofruar më shumë mbrojtje nga erërat e akullta që vijnë nga veriu ekstrem. Kushedi nëse ky impiant i ri do t’iu sjellë më shumë fat skuadrave të mëdha evropiane.

Top Channel