Përballje frontale mes policisë dhe protestuesve pas Piramidës, efektivët tërhiqen pas për t’i rezistuar sulmeve
Agjencia ndërkombëtare e lajmeve, “Reuters”, i ka kushtuar edhe sot një artikull protestës së studentëve në Tiranë. Ajo shkruan se revolta studentore është shpërthimi më i fuqishëm i protestave kundër korrupsionit dhe qeverisë së Edi Ramës, që nisën në fund të muajit maj.
Në artikull, media raporton se edhe në ditën e dytë të protestës studentore, Ministria e Arsimit u sulmua dhe u përfshi nga flakët, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë për t’i shpërndarë ata.
Artikulli i plotë:
Ministria e Arsimit e Shqipërisë u përfshi nga flakët të mërkurën gjatë ditës së dytë të protestave studentore kundër korrupsionit dhe arsimit, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmat në Tiranë.
Mijëra protestues u mblodhën përpara Ministrisë së Arsimit të mërkurën. Disa hodhën tulla drejt ndërtesës. Ata thyen barrierat metalike të trotuareve dhe përmbysën kazanët e plehrave, treguan pamjet e “Reuters”.
Ky ka qenë shpërthimi më i dhunshëm i protestave kundër korrupsionit, të cilat filluan në maj dhe kanë paraqitur një sfidë në rritje për qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
“Protesta është një e drejtë legjitime, por nuk mund të përdoret si justifikim për dhunë, shkatërrim qyteti apo përleshje të shëmtuara në mes të rrugës”, tha zëvendëskryeministrja Albana Koçiu në Facebook. “U bëj thirrje studentëve dhe çdo qytetari të ndershëm që beson në të drejtën për të protestuar: Distancohuni nga dhuna dhe vandalizmi!”
Organizatorët e studentëve thanë se protesta ishte për kushtet në universitete, kostot e arsimit të lartë, mbështetjen financiare dhe perspektivat e punësimit pas diplomimit.
Trazirat janë pjesë e një vale më të gjerë aktivizmi studentor që ka përfshirë Evropën lidhur me arsimin dhe kushtet e jetesës. Në Francë, nxënësit e shkollave të mesme kanë organizuar javë të tëra protestash dhe bllokimesh shkollash duke kërkuar më shumë mësues dhe ambiente më të mira, duke argumentuar se ndërtesat shkollore në përkeqësim dhe klasat e mbipopulluara po dëmtojnë arsimin.
Top Channel