Protesta shkatërruese në Tiranë, ministri Hoxha: Kjo dhunë dëmton imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë

14/10/2026 21:12

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar në rrjetet sociale pas akteve të dhunës dhe shkatërrimeve gjatë protestës në Tiranë.

Ai shprehet se pamjet e dhunës ndaj institucioneve, pronës publike dhe private dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe përpjekjet e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Shqipëria ka bërë hapa madhorë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke fituar më shumë besim dhe respekt ndërkombëtar dhe duke ndërtuar imazhin e një vendi të qëndrueshëm, të sigurt, mikpritës dhe gjithnjë e më tërheqës.

Pikërisht për këtë arsye, pamjet e dhunës, shkatërrimit të pronës dhe sulmeve ndaj institucioneve apo selive diplomatike janë dëshpëruese dhe të papranueshme. Ato nuk përfaqësojnë as Shqipërinë e sotme dhe as atdheun që synojmë të ndërtojmë për nesër.

Imazhi ynë ndërkombëtar është ndërtuar me shumë mund, ndër vite e dekada, por mund të cenohet lehtësisht. Çdo pamje dhune ndaj institucioneve, pronës publike apo asaj private dobëson mesazhin e stabilitetit, dëmton perceptimin e Shqipërisë si një vend i sigurt për turistët dhe investitorët dhe hedh hije e dyshime mbi aftësinë tonë të përbashkët për të përparuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Shprehja e pakënaqësisë dhe protesta paqësore janë pjesë e demokracisë; dhuna jo.

Askush nuk duhet të dëmtojë një pasuri që na përket të gjithëve: emrin dhe reputacionin e Shqipërisë”, shkruan Ferit Hoxha.

Top Channel