Trump publikon video të krijuara me IA duke u përleshur me një tigër, postimet vijnë pas sulmit fatal në Angli
Një studente 23-vjeçare është dënuar me vdekje në Iran për fyerje të Profetit Muhamed, pas një postimi në rrjetet sociale.
Rasti i Najmeh Amini ka ngritur shqetësime te organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat paralajmërojnë për përdorimin në rritje të dënimit me vdekje si mjet për të shtypur kundërshtarët politikë dhe zërat kritikë ndaj regjimit.
Amini, studente e kontabilitetit, mbahet në burgun Vakilabad, në qytetin Mashhad, në verilindje të vendit. Përveç dënimit me vdekje, në një proces tjetër gjyqësor ajo është dënuar me 12 vjet, gjashtë muaj dhe një ditë burg, për vepra penale që lidhen me sigurinë kombëtare dhe përhapjen e propagandës kundër regjimit.
Sipas një burimi pranë familjes së saj, i cituar nga organizata Aktivistët e të Drejtave të Njeriut në Iran (HRAI), 23-vjeçarja u shpall fajtore për veprën penale të njohur si “sab ol-nabi”, që lidhet me fyerjen e Profetit Muhamed.
Amini u arrestua nga forcat e sigurisë gjatë protestave masive antiqeveritare të janarit, të cilat u shtypën me dhunë. Sipas mediave ndërkombëtare, mijëra persona u vranë gjatë trazirave, ndërsa agjencia e lajmeve Hrana, e lidhur me HRAI, raportoi më shumë se 50 mijë arrestime.
Organizatat për të drejtat e njeriut ngrenë gjithashtu alarmin për numrin e lartë të ekzekutimeve në vend. Sipas Organizatës për të Drejtat e Njeriut në Iran (IHRNGO), me seli në Oslo, më shumë se 600 persona janë ekzekutuar në Iran që nga fillimi i vitit.
Muajin e kaluar, përmes një mesazhi audio të publikuar nga burgu, Amini kërkoi ndërhyrjen e organizatave ndërkombëtare, Kombeve të Bashkuara dhe avokatëve për të ndjekur çështjen e saj.
“Nuk dua ta paraqes veten si heroinë sot. Dua vetëm një gjë: të jesh zëri im”, u shpreh ajo.
“Unë jam një vajzë e re e pafajshme, me kaq shumë shpresa dhe ëndrra. Kam prindër që më presin. Një familje që rri zgjuar çdo natë me frikën se mos më humbasë”, shtoi 23-vjeçarja.
Drejtori i IHRNGO-së, Mahmoud Amiri-Moghaddam, e cilësoi rastin veçanërisht shqetësues, duke paralajmëruar se dënimi me vdekje për një postim në rrjetet sociale mund të krijojë një precedent të rrezikshëm.
Sipas tij, një vendim i tillë rrezikon të normalizojë përdorimin e dënimit kapital kundër shprehjes paqësore dhe të zgjerojë rastet kur ai zbatohet.
Amiri-Moghaddam tha gjithashtu se autoritetet iraniane po testojnë kufijtë e reagimit të bashkësisë ndërkombëtare ndaj përdorimit të dënimit me vdekje. Ai paralajmëroi se mungesa e një reagimi të vendosur mund të bëjë që raste të ngjashme të përsëriten më shpesh.
Sipas nenit 262 të Kodit Penal Islamik të Iranit, fyerja e Profetit Muhamed dënohet me vdekje. Neni 263 parashikon disa përjashtime, përfshirë rastet kur deklaratat bëhen pa qëllim fyerjeje ose nën ndikimin e alkoolit, megjithëse në rrethana të caktuara mund të zbatohen dënime të tjera.
Sipas gazetës iraniane “Khorasan”, gjatë gjyqit Amini argumentoi se komentet që çuan në dënimin e saj ishin publikuar pasi kishte konsumuar kërpudha halucinogjene me miqtë. Mbrojtja pretendoi se bëhej fjalë për një shprehje të paqëllimshme dhe kërkoi që gjykata të merrte parasysh gjendjen e saj në atë moment.
Megjithatë, gjyqtari hodhi poshtë argumentin e mbrojtjes, duke e pyetur, sipas raportimit të gazetës: “Pse, në të njëjtën gjendje iluzioni, nuk fyeve figura të tjera ose kundërshtarë të regjimit, si Amerika dhe Izraeli?”
Dënimi me vdekje ndaj 23-vjeçares nuk është përfundimtar dhe mund të ankimohet në Gjykatën Supreme të Iranit.
Top Channel