Bilanci i protestës së dhunshme, 51 policë të lënduar, ministri Demo: Mirënjohje për çdo efektiv

14/10/2026 23:00

Ministri Demo ka reaguar sërish pas akteve të dhunës gjatë protestës në Tiranë, duke bërë të ditur se 51 punonjës të Policisë së Shtetit janë lënduar.

Në vizitën në Spitalin e Traumës ai dënoi dhunën ndaj efektivëve, duke theksuar se e drejta për të protestuar nuk justifikon sulmet ndaj uniformave blu.

Në reagimin e tij, ministri shprehu mirënjohje për punonjësit e policisë dhe u uroi shërim të shpejtë efektivëve të lënduar.

Reagimi i ministrit Demo:

“51 punonjës të Policisë së Shtetit janë lënduar gjatë akteve të dhunës së sotme. Disa prej tyre ndodhen aktualisht në Spitalin Ushtarak, ku po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor.

Pas çdo uniforme është një njeri. Një prind, një bir, një bijë, një familjar që ka dalë nga shtëpia për të përmbushur detyrën dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit është e papranueshme dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë. E drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna ndaj atyre që kanë për detyrë të mbrojnë rendin dhe sigurinë nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë pjesë e saj.

Mirënjohje dhe respekt për çdo punonjës policie që sot, përballë dhunës dhe rrezikut, qëndroi në krye të detyrës me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi.

Ju uroj shërim sa më të shpejtë të gjithë efektivëve të lënduar! Jemi pranë jush dhe familjeve tuaja.

Pas uniformës është njeriu. Pas detyrës është sakrifica. Dhe kjo sakrificë meriton respektin e të gjithëve”.

Top Channel