Prej 134 ditësh në protestë, tubuesit kanë marshuar sërish në rrugët e Tiranës, duke përsëritur kërkesat e tyre për ndryshim dhe duke shprehur pakënaqësinë ndaj klasës politike në vend.
Gjatë tubimit, protestuesit kanë bërë thirrje për largimin e drejtuesve aktualë politikë, duke deklaruar se kjo klasë politike e ka humbur besimin e qytetarëve.
“Kjo klasë politike ka mbaruar, të largohet sa më parë”, u shprehën protestuesit.
Një tjetër shqetësim i ngritur gjatë protestës lidhet me mundësitë ekonomike dhe zhvillimin e vendit. Sipas protestuesve, Shqipëria ka potencialin për të ofruar më shumë mundësi për qytetarët, por ata pretendojnë se politikat aktuale po e pengojnë këtë zhvillim.
Protestuesit kanë theksuar se largimi i shqiptarëve jashtë vendit është një nga pasojat e situatës aktuale, duke e cilësuar sistemin politik dhe ekonomik si një faktor që i shtyn njerëzit të kërkojnë një të ardhme më të mirë në emigracion.
Pavarësisht 134 ditëve të tubimit, protestuesit deklarojnë se nuk kanë ndërmend të ndalen. Ata kanë paralajmëruar se do të vijojnë protestën deri në momentin kur kërkesat e tyre të marrin përgjigje dhe të plotësohen.
“Do ta vazhdojmë protestën derisa të na plotësohen kërkesat”, ishte mesazhi i përcjellë gjatë marshimit në kryeqytet.
Top Channel