Një automjet tip “Mercedes-Benz” ka shpërthyer në lëvizje mbrëmjen e sotme, rreth orës 22:00, në bulevardin “18 Shtatori”, në qendër të Gjirokastrës.
Policia konfirmon se në shpërthim është përdorur lëndë plasëse, tritol, ndërsa po punohet për të përcaktuar sasinë e saj.
Automjeti drejtohej nga Beqir Devolli, ndërsa pasagjer ishte Rigels Mela.
Si pasojë e shpërthimit, të dy kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Beqir Devolli ndodhet në gjendje të rëndë në reanimacion, ndërsa Rigels Mela është jashtë rrezikut për jetën.
Shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe është dëgjuar në një pjesë të madhe të qytetit, duke shkaktuar panik te banorët.
Pas shpërthimit, automjeti ka përfunduar mbi trafikndarësen, përpara Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në afërsi të gjykatës.
Të dy institucionet ndodhen vetëm pak metra larg njëri-tjetrit.
Dyshimet paraprake janë se objektiv i atentatit mund të ketë qenë Rigels Mela.
Në prill të vitit 2025, edhe automjeti i tij ishte përfshirë nga flakët pas një shpërthimi, ngjarje për të cilën mbeten për t’u sqaruar rrethanat dhe nëse ka lidhje me episodin e mbrëmjes së sotme.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes, përcaktimin e sasisë së tritolit dhe identifikimin e autorëve të mundshëm.
Top Channel