Nobeli i Paqes u fitua nga ish-komisionerja e OKB-së, Navi Pillay: Përpjekje e palodhur për drejtësinë

09/10/2026 14:04

Në një botë ku luftërat vazhdojnë të marrin jetë dhe drejtësia vihet shpesh në provë, paqja nuk është thjesht mungesa e luftës: Ajo është mbrojtja e dinjitetit njerëzor, përgjegjësia për padrejtësitë e kryera dhe besimi se çdo viktimë meriton të dëgjohet, çdo shkelje duhet të marrë përgjigje dhe çdo shoqëri ka të drejtë të shpresojë për një të ardhme më të drejtë.

Nobeli Paqes për 2026-tën i shkoi jurists së njohur, Navi Pillay, ish Komisionere e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, pikërisht si vlerësim ndaj  përpjekjeve të saj të palodhura për paqen, drejtësinë dhe mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare.

E lindur në Afrikën e Jugut, Pillay, 85 vjeçe, është shfaqur si një figurë e përkushtuar ndaj mbrojtjes së dinjitetit njerëzor dhe përpjekjeve për të ndërtuar një botë ku drejtësia të mos jetë privilegj i të fuqishmëve, por t`i takojë çdo njeriu.

“Jetojmë në një kohë kur numri i luftërave dhe konflikteve po rritet dhe kur gjyqtarët dhe institucionet e së drejtës ndërkombëtare po përballen me sulme politike. Komiteti i Nobelit dëshiron të rikujtojë se aftësia për t’i zgjidhur konfliktet pa përdorur forcën apo dhunën varet nga respektimi i shtetit të së drejtës në nivel ndërkombëtar”, pohoi Jørgen Watne Frydnes, kryetar i Komitetit Norvegjez të Nobelit.

Mes pretendentëve për çmimin këtë vit ishin edhe Papa Leoni, Gjykata Penale Ndërkombëtare, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Francesca Albanese, raportuesja speciale e OKB-së për Territoret e Pushtuara Palestineze.

Çmimi Nobel për Paqen shoqërohet këtë vit me një vlerë monetare prej 12 milionë koronash suedeze, ose rreth 1,2 milionë dollarë.

Top Channel