Vuçiç akuzon partitë shqiptare në Luginën e Preshevës: Janë bashkuar për të ngritur çështjen e Preshevës
Nga Filip Çakuli
Në Shqipëri politika nuk ka më nevojë për miting. Mjafton të shohësh stadiumin.
Luante Shqipëria me San Marinon. Duhej të dëgjoje “Shqipëri! Shqipëri!”. Por nga tribunat vinin: “Rama në burg!”, “Berisha në burg!”, “UÇK!”.
Tifozët e San Marinos, të paktë dhe të pafajshëm, ndoshta prisnin të shihnin një ndeshje futbolli. U bënë dëshmitarë të një mbledhjeje politike me top.
Mund t’ua përkthenin thirrjet. Por si t’ua shpjegoje pse një ndeshje me San Marinon duhet të përfshijë Ramën, Berishën dhe UÇK-në?
Kjo është sëmundja jonë e vjetër: e shohim çdo gjë me syrin politik. Nga Kuvendi te stadiumi, nga kafeneja te familja. Politika ka hyrë edhe aty ku nuk e ka punën.
Dhe ndërsa bërtasim për Ramën e Berishën në stadium, në shtëpi na pret një kundërshtar shumë më i vështirë: frigoriferi bosh.
Burri kthehet në shtëpi.
– A solle gjë për darkë? Frigoriferi është bosh.
– Jo, po e di çfarë ndodhi sot në Kuvend?
– Po fëmijët çfarë hanë?
– Prit se kanë dalë edhe video të reja seksuale…
Darka shtyhet. Politika vazhdon.
Në mëngjes, në vend të bukës, hamë lajmet: Rama tha këtë, Berisha tha atë, SPAK-u arrestoi filanin, doli një video tjetër…
Frigoriferi bosh, por politika plot.
Kemi arritur në një paradoks qesharak: shqiptari mund të mos ketë çfarë të hajë, por di çfarë tha çdo politikan në televizor.
Dhe këtu pyetja është: politikanët, mirë. Është profesioni i tyre. Me politikën rrojnë, fitojnë pushtet dhe pasuri. Po fukarai? Pse duhet të ngopet me politikë, kur nuk ngopet me bukë?
Në fund të fundit, politika nuk e mbush frigoriferin. Nuk paguan faturën, nuk blen ilaçet dhe nuk ushqen fëmijët. Por ne kemi bërë të kundërtën: e kemi mbushur kokën me politikë dhe kemi lënë bosh frigoriferin.
Edhe Çurçilli thoshte se politika është një gjë shumë serioze për t’iu lënë politikanëve. Ne shqiptarët kemi bërë edhe më keq: ua kemi lënë politikanëve politikën dhe ua kemi dhënë edhe jetën tonë.
Prandaj sot mund të ndodhë absurdi më shqiptar i mundshëm:
Në stadium bërtasim “Rama në burg!”, ndërsa në shtëpi gruaja pyet: “Po darkën kush e fut në frigorifer?”
Dhe kjo, fatkeqësisht, është pyetja që nuk ka mikrofon, nuk ka turmë dhe nuk transmetohet drejtpërdrejt. Por është e vetmja që duhet të na interesojë kur frigoriferi është bosh.
Shënim: Ky shkrim është ekskluziv për Top-channel.tv
Top Channel