Kërkoi largimin e anëtarit të KLP-së Vat Staka, KLP rrëzon me 6 vota kundër kërkesën e Ylli Pjetërnikajt

07/10/2026 14:50

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka rrëzuar me rezultatin 6-2 kërkesën e kandidatit për Prokuror të Përgjithshëm, Ylli Pjetërnikaj, i cili kërkoi largimin nga vlerësimi i garës për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të anëtarit të KLP-së, Vat Staka.

Vendimi u mor pas disa orësh mbledhje, e cila është shoqëruar me debate të forta.

Lajmin e bën me dije gazetarja Anila Hoxha.

Ndërkohë, mbledhja e KLP-së vijon me shqyrtimin e kërkesës së kandidates tjetër për Prokurore të Përgjithshme, Arta Marku, e cila kërkon largimin nga këto procedura të anëtarit të KLP-së, Sokol Stojani.

Kujtojmë se KLP u mbledhur sërish të dielën, ndërsa përpara anëtarëve u vendosën një sërë kërkesash për përjashtim, të cilat kanë krijuar një situatë të pazakontë brenda Këshillit.

Vat Staka kërkoi përjashtimin e Zeqir Hodës, Hoda kërkoi përjashtimin e Sokol Stojanit, ndërsa Stojani kërkoi përjashtimin e kryetares së KLP-së, Mirela Bogdani.

Në kërkesën e tij, Stojani ngriti pretendime mbi paanshmërinë e kryetares dhe kërkon që Bogdani të mos marrë pjesë në drejtimin, shqyrtimin, diskutimin dhe votimin e kërkesave për përjashtim.

Top Channel