Këtë tetor, fjongoja rozë ka emrin tim…!
Nga Flogert Muça
Atë që mediat e majta amerikane e kornizuan si “Lufta e Flamingove” kundër zhvillimit të Zvërnecit, në Tiranë u përpoq të shitej si zgjim ekologjik. Por kush e njeh sadopak psikologjinë sociale dhe ekonomike të shqiptarëve, e kupton lehtësisht absurdin e këtij truku: t’i kërkosh një populli që ka vuajtur eksperimentin më egërsisht komunist të Evropës të kthehet në romantizëm neomarksist, është thjesht paaftësi për të lexuar realitetin.
Nisja e kësaj historie nuk pati asnjë lidhje me hallet e shqiptarëve, por vazhdimi patjetër që ishte vetem për hallet e tyre krejt legjitime. Ajo lindi si një eksport ideologjik i radikalizmit të majtë amerikan, i cili e përdori Zvërnecin si një ring për betejën e vet elektorale kundër Donald Trump dhe Jared Kushner. Ishte një instrumentalizim i pastër i kornizës (framing): u mor një simbol emocional si flamingoja për të ushqyer narrativën e “kapitalizmit të etur” që shkatërron natyrën. Dhe kjo narrativë u paketua me shpejtësi për t’u shpërndarë në bulevardin e Tiranës.
Natyrisht, sheshi u mbush. Por këtu qëndron edhe keqkuptimi më i madh i organizatorëve dhe i atyre që fërkuan duart pas kësaj kornize.
Shqiptarët nuk dolën në shesh sepse u zgjuan papritur neomarksistë apo mbrojtës të status-quo-së ekonomike. Ata dolën sepse kanë me mijëra probleme reale me përditshmërinë, me menaxhimin e hapësirës publike, me transparencën dhe me besimin te institucionet. Zvërneci dhe korniza e flamingos ishin thjesht fitili apo instrumenti që ngjizi pakënaqësinë e akumuluar për t’i nxjerrë njerëzit nga shtëpia.
Por kapja pas narrativës ekologjike neomarksiste dështon aty ku nis logjika e shoqërisë shqiptare. Në ADN-në e vet ekonomike, shqiptari i sotëm është thellësisht pro-kapitalist, pro-zhvillimit dhe pro-sipërmarrjes së lirë. Pas dekadash izolimi, varfërie të detyruar dhe kontrolli shtetëror mbi çdo frymëmarrje, shqiptarët e kanë refuzuar njëherë e e përgjithmonë modelin që e sheh zhvillimin si armik dhe pronën apo kapitalin si mëkat. Ata duan punë, duan investime, duan hotele me pesë e shtatë yje, duan infrastrukturë moderne, pronën private dhe duan që vendi i tyre të jetë pjesë e hartës globale të zhvillimit.
Shoqëria jonë në pjesën dërrmuese është rrënjësisht antikomuniste në konceptin e saj për ekonominë. Qytetarët tanë e dinë mirë se mbrojtja e mjedisit dhe e interesit publik nuk do të thotë bllokim i kapitalit, por menaxhim i mençur i tij.
Prandaj, përpjekja e neomarksistëve vendas e të huaj për ta kthyer protestën e bulevardit në një revolucion kundër tregut të lirë ishte me afat skadence. Njerëzit mund të shfrytzojnë çdo pretekst për të protestuar ndaj pushtetit, por kurrë nuk do të shkojnë pas atyre që kërkojnë rikthimin në të kaluarën në emër të utopive ideologjike. Shqiptarët mund të mbushin sheshin për të kërkuar më shumë drejtësi e llogaridhënie, por zgjedhja e tyre strategjike është e qartë: ata duan zhvillim, duan kapitalizëm dhe duan të ardhmen.
Top Channel