Tani i Madh, Topi i Madh
Nga Altin Krekas*
Çfarë mund të mësojmë nga gjuhët e tjera
Në punën e përditshme me fjalët e gjuhës shqipe, si gazetar gjej shumë pengesa për ta mbajtur gjuhën të pastër nga fjalët e huaja, por edhe për të thënë atë që shumë fjalë të huaja e shprehin qartë. Kjo vështirësi nuk haset vetëm në media, por pothuajse në çdo sektor, veçanërisht kur flitet për procese teknike, teknologji apo aspekte të jetës digjitale. Shpesh, kur analizon ligjëratat e ekspertëve të ndryshëm, vëren se ato bëhen pothuajse të pakuptueshme për shkak të përdorimit masiv të fjalëve të huaja.
Anglishtja mbizotëron në teknologjinë digjitale, ndërsa italishtja përdoret rëndom, një ndikim që u forcua pas viteve ’90, kur shqiptarët nisën të përdornin masivisht makina dhe teknologji të tjera. Nevoja për fjalë të reja, për të emërtuar sende, procese apo ndjesi të caktuara, u rrit si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Atje, leksiku i ri teknik u ndikua nga gjermanishtja, por edhe nga gjuhët sllave, për shkak të kontakteve me to. E gjithë kjo rrëmujë gjuhësore i gjeti Akademinë e Shkencave dhe albanologët të papërgatitur: për një kohë të gjatë, ata nuk ndihmuan sa duhej për ta pasuruar leksikun me fjalë të reja të nevojshme.
Në shekullin XIX, kur nuk kishte një Akademi Shkencash, rilindësit arritën ta nxirrnin gjuhën tonë nga trysnia e tjetërsimit të leksikut prej osmanishtes. Për ta, krijimi i fjalëve të reja ishte një projekt gjuhësor dhe politik për pavarësinë e gjuhës, e cila deri në atë kohë shkruhej pak ose me alfabete të ndryshme. Naim Frashëri, Sami Frashëri, Kostandin Kristoforidhi, Pashko Vasa, Jani Vreto e shumë të tjerë donin një shqipe të pastër, të pavarur nga fjalët e marra prej turqishtes, greqishtes dhe gjuhëve sllave, si serbishtja e bullgarishtja.
Ata përdorën metodën e kalkimit, pra përkthimin e brendshëm të fjalës. Një shembull është «hekurudhë», e ndërtuar me material shqip sipas modelit të frëngjishtes chemin de fer («rrugë hekuri») ose të gjermanishtes Eisenbahn («hekur» + «rrugë»). Por shumë fjalë të tjera mbetën huazime, si «gazetë». Rilindësit krijuan ose ringjallën prapashtesa shqipe për të formuar terma abstraktë të rinj, të nevojshëm për shkencën, arsimin dhe administratën; një shembull është «kombëtar» (komb + -ëtar). Po ashtu, ata risollën në përdorim fjalë të vjetra të harruara të shqipes.
Pas viteve ’90, nevoja për ndryshim u bë dramatike. Së fundmi, situata është alarmante, pasi sidomos të rinjtë kanë krijuar pothuajse një gjuhë të tyren, me fjalë të huazuara kryesisht nga anglishtja. Shqipja ka atë që quhet «zbrazëti leksikore»: koncepti ekziston, por mungon një fjalë e vetme për ta shprehur. Anglishtja ka fjalën sibling për të treguar një vëlla ose një motër pa përcaktuar gjininë, por duke shprehur lidhjen mes fëmijëve të të njëjtëve prindër. Fjala deadline në shqip shprehet si «afat përfundimtar i detyrueshëm», por, në mungesë të një fjale të vetme shqipe, përdoret gjerësisht termi anglisht. Një shembull tjetër është feedback, pra «vlerësim» ose «reagim për një punë të bërë», që gjithashtu nuk ka një përkthim me një fjalë të vetme në shqip.
Anglishtja, ndryshe nga shqipja, është gjuhë udhëheqëse jo sepse është gjuha amtare e numrit më të madh të njerëzve në botë — në atë rast, përparësi do të kishin kinezishtja ose spanjishtja — por për shkak të avantazhit gjeopolitik që i jep përdorimi si gjuhë zyrtare e Shteteve të Bashkuara, ndikimit të kinemasë e faktorëve të tjerë. Ajo prodhon fjalë të reja me një ritëm shumë më të shpejtë. Më 14 shtator, fjalori Merriam-Webster shtoi 1 400 fjalë të reja. Anglishtja ka gjithashtu një traditë të pranimit të shpejtë të fjalëve të krijuara nga interneti, psikologjia popullore dhe kultura self-help.
Disa shembuj të fjalëve të reja në anglisht janë vibe coding, që tregon krijimin e kodit me ndihmën e inteligjencës artificiale, pa e shkruar atë manualisht; rickroll, një mashtrim për ta bërë dikë të dëgjojë një këngë të caktuar; dhe looksmaxxing, që u referohet masave ekstreme për të përmirësuar pamjen fizike. Frëngjishtja, e cila është më konservatore, ka shtuar në fjalorin Larousse fjalë të reja si glamping («kamping luksoz») dhe urbex («eksplorim i ndërtesave apo vendeve të braktisura»). Shembuj nga gjermanishtja janë Dachbegrünung («mbjellje bimësh mbi çati») dhe postfaktisch («kur faktet bëhen dytësore ndaj emocioneve në debatin publik»). Në spanjisht gjenden crudivorismo («dietë me ushqime vetëm të papërpunuara») dhe loguearse («hyrje në një llogari ose sistem online»). Shqipja, përkundrazi, ende i trajton shumë prej këtyre fjalëve si huazime të papërpunuara, pa i «shqipëruar» me një fjalë të re shqipe.
Studiuesja Adelina Çerpja, në punimin «Neologjizmat dhe planifikimi leksikografik në gjuhën shqipe» (Studime Filologjike, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026), thotë se shqipja ende nuk ka struktura të qëndrueshme për monitorimin sistematik të neologjizmave. Në janar 2026, Akademia e Shkencave publikoi online «Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe», një projekt me 25 hartues nga Shqipëria dhe Kosova, që solli rreth 125 mijë njësi leksikografike, mes tyre afërsisht 40 mijë fjalë krejtësisht të reja. Koordinatorja e projektit, prof. dr. Anila Kananaj, shpjegoi për mediat se pjesa dërrmuese e fjalëve të reja lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e teknologjisë dhe hapjen e shoqërisë shqiptare ndaj botës. Por vetë procesi ka zbuluar një problem: sipas Kananajt, debati më i madh brenda ekipit ka qenë pikërisht rreth fjalëve teknologjike. Për shembull, fjala online u trajtua duke u «shqipëruar» në formën «onlajn», një zgjedhje që vazhdon të ngjallë polemika publike.
*Autori është Kryeredaktor i Departamentit të Informacionit në Top Channel
Top Channel