Itali, 44-vjeçari shtirej si gjinekolog dhe u kërkonte pacienteve foto e video intime
Një helikopter ushtarak rus i tipit Mi-8 ka shkelur hapësirën ajrore të Polonisë, duke depërtuar rreth 300 metra brenda territorit ajror polak dhe duke qëndruar aty për rreth 42 sekonda, njoftuan autoritetet polake.
Sipas autoriteteve në Varshavë, fluturimi i helikopterit u monitorua nga sistemet radarike të Forcave të Armatosura polake. Pas identifikimit të incidentit, avionë luftarakë polakë u ngritën menjëherë në ajër, ndërsa forcat tokësore dhe njësitë e tjera ushtarake u vendosën në gatishmëri.
“Fluturimi i mjetit ajror u monitorua nga sistemet radarike të Forcave të Armatosura polake”, thuhet në deklaratën e autoriteteve.
Komanda polake deklaroi gjithashtu se natyra e incidentit sugjeron, sipas vlerësimit të saj, se Rusia po teston sërish gatishmërinë e mbrojtjes ajrore të Polonisë.
Autoritetet polake theksuan se ekipet e sistemeve të mbrojtjes ajrore kryejnë mbikëqyrje 24 orë në ditë dhe qëndrojnë në gatishmëri të vazhdueshme për të garantuar sigurinë e hapësirës ajrore të vendit.
Ky nuk është incidenti i parë i këtij lloji. Sipas autoriteteve polake, shkelja e fundit e hapësirës ajrore nga një mjet rus u regjistrua më 30 korrik. Atë ditë, një raketë lundruese Kh-101 ra pranë Tarnawa-Kolonia, në vojevodatin e Lublinit.
Prokuroria e Lublinit deklaroi se raketa ishte prodhuar në një fabrikë në rajonin e Moskës. Në vendin e goditjes u krijua një krater me përmasa rreth 10 metra në diametër dhe 5 metra në thellësi.
Top Channel