El Niño thyen rekordin e temperaturave, “The Guardian”: Ekspertët paralajmërojnë ndikime të forta globale
Partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, ruajti një shumicë dërrmuese në Dumën ruse, në një proces zgjedhor të zhvilluar në një sistem politik të kontrolluar fort dhe në të cilin shumica e kandidatëve që kundërshtojnë luftën e Rusisë kundër Ukrainës nuk mundën të garonin.
Rezultati mund t’i ofrojë presidentit Vladimir Putin disa mënyra për ta forcuar narrativën e Kremlinit rreth luftës, sistemit politik dhe situatës së brendshme në Rusi.
1. Një mandat politik për vazhdimin e luftës
Pas më shumë se 25 vitesh në krye të Rusisë, si president ose kryeministër, kontrolli i Putinit mbi vendin mbetet i fortë. Megjithatë, lufta në Ukrainë ka zgjatur shumë më tepër nga sa prisnin shumë rusë dhe pasojat e saj po ndihen gjithnjë e më shumë brenda vendit.
Sulmet ukrainase me dronë ndaj territorit rus janë intensifikuar. Moska është goditur në mënyrë të përsëritur, ndërsa numri i viktimave civile në Rusi është rritur gjatë vitit, megjithëse mbetet shumë më i ulët se në Ukrainë.
Sulmet ndaj rafinerive të naftës kanë shkaktuar probleme me furnizimin me karburant, ndërsa kompanitë ruse janë përballur me pasoja nga goditjet ukrainase ndaj infrastrukturës së furnizimit.
Putini i ka paraqitur zgjedhjet si një tregues të mbështetjes publike për politikën e tij. Për këtë arsye, rezultati mund të përdoret nga Kremlini për të argumentuar se shumica e rusëve mbështesin vazhdimin e luftës deri në arritjen e objektivave të shpallura nga Moska.
2.Krijimi i një “elite të re”
Putini ka deklaruar se personat që kanë luftuar në Ukrainë duhet të bëhen pjesë e një “elite” të re të vendit dhe u ka premtuar atyre mundësi për karriera politike dhe publike.
Rreth 200 veteranë kanë kandiduar për një vend në Dumë. Suksesi i tyre elektoral mund t’i shërbejë Kremlinit si shembull i mënyrës se si shteti shpërblen ata që kanë shërbyer në luftë.
Përmes promovimit të veteranëve në poste politike, Moska mund të synojë gjithashtu të krijojë një brez të ri figurash publike dhe të nxisë më shumë njerëz të bashkohen me ushtrinë.
3.Një argument në përballjen politike me Ukrainën
Putini ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e vazhdimit të mandatit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas përfundimit të mandatit të tij pesëvjeçar në maj 2024.
Në Ukrainë, zgjedhjet nuk janë zhvilluar gjatë gjendjes së luftës. Ligji ushtarak, i vendosur pas pushtimit të plotë rus në vitin 2022, ndalon zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale gjatë kësaj periudhe. Kushtetuta ukrainase parashikon ndërkohë që presidenti vazhdon të ushtrojë detyrën deri në marrjen e detyrës nga presidenti i ri i zgjedhur.
Kremlini mund ta përdorë zhvillimin e zgjedhjeve në Rusi si argument në përballjen e tij me Ukrainën, duke theksuar se Moska i zhvilloi zgjedhjet sipas kalendarit të përcaktuar, pavarësisht luftës.
4.Krijimi i një ndjenje normaliteti
Një tjetër objektiv i Kremlinit është t’u përcjellë rusëve mesazhin se, pavarësisht luftës dhe pasojave të saj, jeta e përditshme mund të vazhdojë.
Sulmet ukrainase me dronë, të cilat janë shtrirë gjithnjë e më thellë në territorin rus, e kanë bërë më të vështirë këtë mesazh. Megjithatë, zhvillimi i zgjedhjeve në një vend me përmasa të mëdha territoriale dhe në 11 zona kohore mund t’i shërbejë Putinit për të krijuar një imazh të vazhdimësisë dhe normalitetit.
5.Rekrutimi dhe forcimi i censurës
Putini i ka cilësuar si “të pakuptimta” raportimet e mediave perëndimore se Rusia mund të ndërmarrë një mobilizim të ri pas zgjedhjeve për të shtuar trupat në frontin ukrainas. Sipas tij, këto raportime synojnë të shkaktojnë panik në shoqërinë ruse.
Megjithatë, disa vëzhgues rusë dhe ndërkombëtarë kanë ngritur shqetësimin se rezultati zgjedhor mund të përdoret për të justifikuar masa të reja të mobilizimit, duke pasur parasysh humbjet e konsiderueshme ruse në luftë dhe objektivin e Moskës për të zgjeruar kontrollin territorial në Ukrainë.
Po ashtu, pas përfundimit të zgjedhjeve mund të forcohen masat e kontrollit dhe censurës, pasi autoritetet nuk do të kenë më të njëjtën nevojë për të ruajtur një klimë të qetë përpara votimit.
Ndër masat e shqyrtuara më herët kanë qenë edhe plane të mundshme nga operatorët celularë për vendosjen e tarifave shtesë ndaj përdoruesve që konsumojnë më shumë se 15 gigabajt të dhëna në muaj nga burime të huaja. Një masë e tillë do të mund të prekte veçanërisht përdoruesit që përdorin VPN për të hyrë në faqe interneti dhe aplikacione të bllokuara në Rusi.
Megjithatë, deri tani, Moska nuk ka dhënë ndonjë sinjal publik se ky plan do të rikthehet menjëherë.
Top Channel