Ligji i ri për lobimin, komisioneri: T’i japim dritë një mjedisi që shpesh shihet si “korridor i errët”

15/09/2026 20:13

Kuadri i ri ligjor për lobimin në Shqipëri, ishte fokusi i takimit që organizoi Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Komisioneri Besnik Dervishi theksoi se kuadri i ri për lobimin synon të rrisë transparencën mbi mënyrën se si interesa dhe aktorë të ndryshëm ndërveprojnë me vendimmarrjen publike.

“Kur përmendet fjala Lobim, shpesh krijohet përshtypja se biseda kryhet në korridor të errët, mundësisht edhe me perde të rënda e të mbyllura. Kuadri i ri ligjor, por edhe objektivi ynë, është t’i japë dritë këtij mjedisi dhe të kemi një marrëdhënie të institucionalizuar”, u shpreh Dervishi.
Komisioneri nënvizoi po ashtu se publiku duhet të dijë se kush ndikon në vendimarrje.

“Në një sistem demokratik, interesat trokasin në derën e vendimmarrjes. Por, publiku duhet ta dijë kush trokiti, për kë dhe për çfarë”, theksoi ai.

Krahas diskutimeve u prezantua edhe paketa me tetë projekakte nënligjore, e hartuar me ekspertizën e Këshillit të Evropës. Aktet përcaktojnë në mënyrë konkrete funksionimin dhe administrimin e Regjistrit të Lobimit, procedurat e regjistrimit, deklarimin e veprimtarisë së lobimit, identifikimin dhe menaxhimin e konfliktit të interesit, verifikimin dhe përditësimin e të dhënave, administrimin e dokumentacionit, si dhe standardet e sjelljes.

Top Channel