Nga integrimi në BE te Reforma Zgjedhore, fjala hapëse e Peleshit: Nuk do të presim ditën e anëtarësimit, do të fillojmë që sot

08/09/2026 17:15

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka çelur sesionin e tretë të Legjislaturës së 11-të, duke paraqitur objektivat dhe prioritetet e Parlamentit për muajt në vijim.

Në fjalën e tij, Peleshi e vendosi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian në qendër të punës së Kuvendit, ndërsa theksoi nevojën për forcimin e kontrollit parlamentar, përmirësimin e legjislacionit dhe rritjen e transparencës ndaj qytetarëve.

Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e Reformës Zgjedhore dhe asaj Administrative-Territoriale, si dhe paralajmëroi zgjerimin e përdorimit të teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale në proceset parlamentare.

Fjala e plotë e Peleshit:

Sot çelim sesionin e tretë të Legjislaturës së 11-të të Kuvendit.

Lamë pas një sesion intensiv dhe produktiv.

Miratuam 90 akte, ndër të cilat 21 ligje parësore, 37 ligje ndryshuese, 28 marrëveshje ndërkombëtare dhe 4 akte normative me fuqinë e ligjit.

Një pjesë e rëndësishme e kësaj veprimtarie i shërbeu drejtpërdrejt përafrimit të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.

Zhvilluam 41 interpelanca dhe 10 seanca pyetje-përgjigje.

Forcuam mekanizmat e kontrollit parlamentar dhe konsoliduam një model të ri të raportimit dhe mbikëqyrjes së institucioneve të pavarura.

U hartua dhe filloi zbatimi i Kalendarit Vjetor të Mbikëqyrjes Parlamentare.

U miratua Plani Strategjik i Kuvendit për vitet 2026–2030, Plani përkatës i Veprimit, si dhe struktura e re e shërbimeve parlamentare.

Vijuam modernizimin teknologjik të Kuvendit, digjitalizimin e shërbimeve dhe përfshirjen graduale të Inteligjencës Artificiale në proceset parlamentare.

Por, ndër arritjet e sesionit të kaluar, njëra prej tyre ka një rëndësi të veçantë: kontributi i Kuvendit në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Zhvilluam një diplomaci parlamentare intensive dhe vizituam e bashkëpunuam me më shumë se gjysmën e parlamenteve të vendeve anëtare. Dhe ky nuk ishte thjesht një aktivitet diplomatik; ishte një investim politik në anëtarësimin e Shqipërisë në familjen evropiane.

Integrimi evropian mbetet prioriteti numër një i punës së Kuvendit edhe gjatë këtij sesioni.

Jo thjesht si raunde negociatash, por si një proces transformimi i institucioneve demokratike, i ekonomisë dhe mirëqenies.

Kuvendi duhet të jetë një nga motorët e këtij procesi.

Gjatë këtij sesioni do të punojmë në tri drejtime themelore.

Së pari, përafrimi i legjislacionit.

Kuvendi do të shqyrtojë me përparësi projektligjet që lidhen me standardet e Bashkimit Evropian dhe me përmbushjen e detyrimeve të negociatave duke u fokusuar te rezultatet.

Ndaj, pas riorganizimit të tij, do të rrisim bashkëpunimin ndërmjet Shërbimit Legjislativ, strukturave përgjegjëse për përafrimin dhe Institutit Parlamentar.

Do të forcojmë kontrollin post-legjislativ, sepse detyra e Kuvendit nuk përfundon kur një ligj votohet, por vazhdon edhe gjatë zbatimit dhe vlerësimit të efekteve të tij.

Së dyti, intensifikimi i diplomacisë parlamentare.

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian kërkon mbështetjen e institucioneve evropiane, të qeverive dhe të parlamenteve të vendeve anëtare. Kontaktet dinamike me parlamentet e 27 vendeve anëtare do të vazhdojnë.

Në 28 shtator, Kuvendi do të organizojë në Tiranë Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda Strategjike e Zgjerimit të BE-së dhe anëtarësimi i Shqipërisë”, e cila do të mbledhë përfaqësues të parlamenteve të vendeve anëtare, kandidate dhe të institucioneve evropiane.

Ajo është një mundësi për të vendosur Shqipërinë në qendër të dialogut mbi të ardhmen e zgjerimit evropian.

Një rol të rëndësishëm në këtë proces do të vazhdojnë të kenë Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian dhe Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Së treti, përgatitja për anëtarësimin e plotë.

Gjatë këtij sesioni do të fillojmë punën për t’u përgatitur edhe për mënyrën se si Shqipëria do të funksionojë si një vend anëtar me të drejta të plota.

Kjo kërkon plotësime ligjore dhe institucionale, një infrastrukturë të përshtatshme për pjesëmarrjen në proceset e vendimmarrjes evropiane dhe përgatitjen e administratës për përgjegjësitë e reja.

Nuk do të presim ditën e anëtarësimit për të filluar përgatitjet për anëtarësimin. Do të fillojmë që sot.

Çështje te rëndësishme të këtij sesioni mbeten edhe Reforma Zgjedhore dhe Reforma Administrative-Territoriale.

Këto janë dy procese të ndryshme, por të dyja lidhen me cilësinë e demokracisë, përfaqësimin dhe funksionimin e institucioneve.

Reformat tona duhet të afrojnë më shumë institucionet me qytetarin.

Në këtë frymë, do të përmirësojmë kuadrin ligjor për të ndërtuar urëkalime të reja ndërveprimi mes Qeverisë, deputetëve dhe zgjedhësve. Ne jemi këtu për të sjellë shqetësimet e njerëzve dhe për të kërkuar llogaridhënie, pa ndërhyrë e pa zëvendësuar kompetencat e institucioneve.

 

Autoriteti parlamentar nuk është privilegj. Është përgjegjësi.

Nuk është çelës për dyer të mbyllura. Është detyrim për të hapur dyert e shtetit për qytetarin.

Ndaj, rishikimi i Statusit të Deputetit është një nevojë e domosdoshme, që ky mandat të shërbejë gjithmonë si instrument llogaridhënieje, mjet në shërbim të qytetarit, dhe jo simburojë privilegjesh.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm i punës sonë duhet të jetë: të masim ligjbërjen jo vetëm me atë që prodhon në letra, por me atë që ndryshon në jetën e njerëzve.

Në fund të fundit, qytetari nuk jeton me statistika. Jeton me mundësi, me shërbime dhe me siguri. Rritja ka vlerë kur kthehet në mundësi. Ekonomia ka kuptim kur përkthehet në mirëqenie. Dhe zhvillimi ka kuptim vetëm kur ndihet në jetën e qytetarit.

Kuvendi do të vlerësojë nevojën për përmirësimin e legjislacionit mjedisor dhe forcimin e mekanizmave për zbatimin e tij, pasi mjedisi është pjesë e zhvillimit të qëndrueshëm dhe e cilësisë së jetës.

Në një shoqëri demokratike, shqetësimet qytetare duhet të dëgjohen.Përgjigjja më e mirë ndaj tyre është transparenca, analiza dhe veprimi.

Të nderuar kolegë,

Sesioni i ri duhet të shënojë kalimin drejt një kontrolli parlamentar më të orientuar nga rezultatet. Sepse nuk mjafton të miratojmë rekomandime, por duhet të ndjekim zbatimin e tyre.

Do të vazhdojmë zbatimin e Kalendarit Vjetor të Mbikëqyrjes Parlamentare përmes seancave dëgjimore, vizitave monitoruese dhe dialogut me institucionet dhe grupet e interesit.

Do të forcojmë vlerësimin e performancës së institucioneve të pavarura dhe përdorimin e Platformës Ndërinstitucionale Online për ndjekjen e rekomandimeve.

Do të trajtojmë me përgjegjësi çështjet që burojnë nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si një detyrim institucional dhe një element themelor i shtetit të së drejtës.

Për çështjet që kërkojnë ndërhyrje ligjore, përfshirë ato që lidhen me statusin dhe trajtimin e magjistratëve, Kuvendi do të veprojë në përputhje me Kushtetutën, vendimet e Gjykatës dhe parimet e pavarësisë së drejtësisë.

Gjatë këtij sesioni do të kemi gjithashtu përgjegjësi të rëndësishme për zgjedhjen e drejtuesve të institucioneve të pavarura, përfshirë procedurat për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm.

Këto procese duhet të zhvillohen me korrektësi, transparencë dhe profesionalizëm.

Sesioni i ri do të jetë edhe një sesion i modernizimit të Kuvendit, si pjesë aktive e transformimit teknologjik të institucioneve demokratike. Do të zgjerojmë përdorimin e teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale për të rritur eficiencën, produktivitetin dhe transparencën e veprimtarisë parlamentare.

Por modernizimi nuk është vetëm çështje teknologjie. Ajo është mënyrë e re e të punuarit dhe e vendimmarrjes.

Ligjet që miratojmë dhe kontrolli që ushtrojmë ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Prandaj, vendimmarrja parlamentare duhet të mbështetet gjithnjë e më shumë në fakte, të dhëna dhe analiza të besueshme. Debati politik është i domosdoshëm, por nuk mund të jetë i vetmi burim drejt vendimmarrjes.

Na duhen ligje që jo vetëm reagojnë ndaj problemeve, por i parashikojnë dhe u paraprijnë nevojave të shoqërisë.

Për këtë arsye, do të modernizojmë arkivën parlamentare dhe aksesin në dokumentacion; do të zhvillojmë mjete të Inteligjencës Artificiale për kërkimin legjislativ dhe analizën juridike; dhe do të zgjerojmë transparencën dhe aksesin e publikut në veprimtarinë e Kuvendit.

Ky modernizim do të shkojë paralelisht me sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave, sepse një Kuvend më digjital duhet të jetë edhe një Kuvend më i sigurt.

Të nderuar kolegë, në mbyllje,

Ky Kuvend do të vlerësohet jo nga ajo që premton, por nga ajo që arrin.

Përtej dallimeve politike, projekti ynë më i madh kombëtar dhe përbashkues është i qartë: ta përgatisim Shqipërinë për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

Ndaj, le ta bëjmë me seriozitet, me përgjegjësi dhe me rezultate.

Sepse Shqipëria e ka zgjedhur Evropën.

Tani duhet të vazhdojmë të bëjmë punën që na çon atje.

Mjedisi publik politik eshte dinamik dhe i ndikuar nga shume faktore te njohur e te panjohur. Opinioni publik sot nuk formesohet vetem nga politika konvencionale, nga debatet politike ne kete salle.

Jetojme ne nje epoke te zhvillimit te vrullshem te teknologjise se komunikimit e Inteligjences Artificiale, ku opinionet individuale e gjejne hapesiren per tu shprehur ne mjedise te tjera te rrjeteve sociale, jashte organizimeve politike, duke e bere politike me komplekse.

Ne kete mjedis te ri, partite tona politike, pavaresisht mendimeve dhe programeve te ndryshme, duhet te qendrojne bashke ne 2 parime:

Mbrojtjen e demokracise konkurruese si formula e vetme politike qe garanton pluralizmin, dhe

Ruajtjen e orientimit pro-europian e pro-amerikan, si zgjedhje strategjike e historike e vendit tone.

Veshi ynë duhet te qëndroje i hapur për qytetaret, sidomos për ata qe ndihen te lene menjene dhe institucioni ynë duhet te jete gjithnjë e me i hapur dhe reagues.

Ju faleminderit dhe ju uroj një sesion parlamentar të mbarë dhe me rezultate, për të gjithë!

Top Channel