Tragjike në Gjermani, futbollisti helmon për vdekje shokun e tij të skuadrës vetëm pak javë para dasmës

07/09/2026 15:26

Një futbollist 35-vjeçar i një klubi amator në Gjermani është arrestuar nën dyshimin se ka helmuar për vdekje shokun e tij të skuadrës, vetëm pak javë para dasmës së viktimës.

Ngjarja e rëndë ka tronditur klubin TuS Rockenberg, ndërsa autoritetet po hetojnë motivin e mundshëm të krimit.

Lojtari, i identifikuar me emrin Marius, u arrestua të martën, më 1 shtator, pasi dyshohet se i ka dhënë në mënyrë të fshehtë një substancë helmuese bashkëlojtarit të tij, Philipp, 30 vjeç.

Sipas raportimeve të mediave britanike, ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë një udhëtimi të skuadrës së TuS Rockenberg në Dresden, në kuadër të festimeve pas përfundimit të sezonit.

Philipp filloi të ndihej keq gjatë udhëtimit. Pasi u kthye në shtëpi, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua papritur dhe familjarët e tij thirrën shërbimet e emergjencës.

30-vjeçari u dërgua në spital, por ndërroi jetë të nesërmen, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta reanimuar.

Në fillim, personat pranë viktimës dyshuan se ai mund të kishte pësuar helmim nga peshku, pasi gjatë udhëtimit skuadra kishte konsumuar ushqim me bazë peshku.

Megjithatë, hetimet e mëtejshme ndryshuan drejtimin e çështjes. Sipas raportimeve, shkaku i vdekjes u përcaktua si dështim septik i shumë organeve, i shkaktuar nga helmimi.

Hetuesit nisën të dyshonin ndaj bashkëlojtarit të tij, Marius, i cili tashmë ndodhet në paraburgim.

Prokurori i lartë publik, Thomas Hauburger, u shpreh për mediat lokale se autoritetet dyshojnë se bëhej fjalë për një akt hakmarrjeje.

“Ne supozojmë se ky ishte një akt hakmarrjeje”, deklaroi Hauburger.

Sipas zërave që qarkullojnë në Rockenberg, dy futbollistët dyshohet se kishin pasur konflikte mes tyre për shkak të një gruaje.

Megjithatë, ky informacion mbetet pjesë e raportimeve dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht si motivi i krimit.

I dyshuari, i cili ndodhet në paraburgim në pritje të procedurave të mëtejshme, nuk ka bërë deri tani asnjë deklaratë publike në lidhje me akuzat ndaj tij.

Arrestimi ka shkaktuar tronditje të madhe te TuS Rockenberg.

Manuel Barufe, drejtuesi i sektorit të futbollit të klubit, tha për mediat lokale:

“Jemi të gjithë të befasuar dhe të tronditur. Askush nuk e priste këtë. Shpresojmë që policia të mund të sqarojë plotësisht se çfarë ka ndodhur.”

Klubi kishte reaguar edhe pas vdekjes së Philipp, duke e përshkruar atë si “një mik, një luftëtar në fushë dhe një njeri me zemër të madhe”.

Edhe familjarët e kujtuan me fjalë prekëse, duke e përshkruar si njeriun e “të qeshurës së fortë, gjesteve të qeta dhe zemrës së madhe”.

Philipp kishte kryer tashmë martesën civile pas ngjarjes së dyshuar, ndërsa ceremonia e madhe e dasmës ishte planifikuar të zhvillohej këtë muaj.

Top Channel